Holanda do të riatdhesojë 12 gra dhe 28 fëmijë nga kampet e ISIS në Siri

Qeveria holandeze ka njoftuar  se ka në plan të riatdhesojë 12 gra të dyshuara për vepra terroriste nga kampet e të ashtuquajturit Shteti Islamik në Siri.

Operacioni, më i madhi i këtij lloji i organizuar ndonjëherë nga Holanda, do të kthejë edhe 28 fëmijë.

“Gratë do të arrestohen pas mbërritjes së tyre në Holandë dhe do të gjykohen”, thuhet në një deklaratë të qeverisë të martën.

Holanda ka refuzuar prej kohësh të riatdhesojë gratë nga kampet e refugjatëve sirianë, sepse ato kishin vendosur vetë që të udhëtonin në vendin e shkatërruar nga lufta dhe t'i bashkoheshin grupit terrorist.

Por, në maj, një gjykatë në Roterdam urdhëroi autoritetet të riatdhesojnë 12 gra dhe fëmijët e tyre brenda katër muajve "për të mos lejuar që ato të mbeten pa u ndëshkuar".

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme rreth identitetit të grave holandeze apo vendndodhjes së tyre.

Në fillim të këtij viti, qeveria holandeze riatdhesoi pesë gra dhe njëmbëdhjetë fëmijë nga kampi i refugjatëve kurdë Al Roj në Sirinë veriore.

Vende të tjera evropiane, si Belgjika dhe Gjermania, i kanë riatdhesuar pothuajse të gjithë qytetarët e tyre nga kampet e IS në vend.

Ndërkohë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Franca kishte shkelur të drejtat e fëmijëve duke mos i kthyer ata në vend nga kampet siriane.

Rreth 300 burra dhe gra holandeze iu bashkuan Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, i cili mori pushtetin në shumë pjesë të të dy vendeve në mes të Luftës Civile në Siri.

Sipas agjencisë evropiane të policisë Europol, rreth 5,000 evropianë shkuan gjithsej, ku disa u bënë luftëtarë të grupeve terroriste apo u martuan me militantë.

Disa prej tyre u kthyen në Evropë, ndërsa shumë të tjerë vdiqën në luftime.

Në vitin 2019, një militant i dyshuar i Shtetit Islamik me origjinë holandeze doli në gjyq në Holandë të hënën për krime lufte të kryera në Irak dhe Siri, pasi pozoi me një trup njeriu në kryq dhe shpërndau foto të viktimave të vdekura në internet.