'Më porositi Rama ta bëj non-grata edhe Top Channel-in'- IRIQI bisedon me ambasadorin anglez Smith

Iriqi:- Nuk ndjeheni si anëtar i Partisë Socialiste duke përkrahur aq hapur Ramën?

Smith:- Ashtu dua të ndjehem. Si socialist shqiptar, se ja pas ca muajsh mbaroj detyrën dhe do punoj nga Londra për qeverinë e majtë.

Iriqi:- Do punoni nga Londra për Tiranën? Po çfarë do i thoni asaj?

Smith:- Do i them Ramës si psh në Londër dita filloi me mjegull, do ketë shi pak më vonë e lagështia do arrijë deri 79% e ajrit. Pak ju duket të jap online parashikimin e motit?

Iriqi:- Dhe mendon se për kaq gjë ai do u japë rrogë?

Smith:- Për këto mbase jo, por për mbështetjen që i jap tani, do shpërblehem nesër. Se nuk e bëra kot non-grata Berishën, se nuk fola kot hapur që qeveria po arrin progres nga dita në ditë, se kot nuk dola e dal në çdo TV për të ngjallur optimizëm për Ramën. Apo në klube nate kot nuk shkova, kërceva e piva. Harxhova kohë dhe koha do paguar me sterlina.

Iriqi:- Rama ta kërkoi që të bëhej Berisha non-grata?

Smith:- Ka tre vjet që ma kërkon. I thashë që nuk ka sens, po nuk m’u nda. Në fund më ofroi ca orë pasioni në një bar karaoke dhe atje u dorëzova. I dhashë fjalën dhe e mbajta.

Iriqi:- Po që shqiptarët tallen me non-gratën tënde e di?

Smith:- Pse çfarë thonë?

Iriqi:- Fute atje prapa, thonë.

Smith:- Normal, pa sens është, por nuk i rezistova dot. Kaq herë na mbiu Rama te ambasada sa...

Iriqi:- Rama te ambasada juaj?

Smith:-Po mor po. Vinte sa binte mbrëmja e nuk shkulej. Sa zv/ambasadori propozoi që pllaka te dera të shkruajë: "AMBASADA E MBRETËRISË SË BASHKUAR" dhe poshtë saj në kllapa (SIPAS EDI RAMËS).

Iriqi:- Po nëse u kërkon non-grata për dikë tjetër, ç’do bëni?

Smith:- Varet me se e shoqëron. Nëse ka leverdi, ia bëjmë se nuk harxhojmë gjë. Ja, ka ca ditë që na kërkon të bëjmë non-grata krejt televizionin “TOP CHANNEL”.

Iriqi:- Ratë dakord?

Smith:- Dakord, dakord, por na pengon ai Muhamet Veliu atje.

Iriqi:- Pse?

Smith:- Ka thënë që do vrasë veten nëse do e bëjmë non-grata.

Iriqi:-Po Rama ç’thotë, ai ka rëndësi?

Smith:- Rama qesh. Muhamet ziu ka vite që është i vrarë, po nuk e ka kuptuar akoma, thotë. Dhe qesh duke mbajtur barkun me një dorë dhe një sfurk bari te dora tjetër.