Twitter tmerrohet nga cicërimat e Ramës për çarterin

Që kur hakerat e dyshuar iranianë bënë publike të dhënat e sistemit TIMES të kryeministrit, që dëshmonin për plot 137 udhëtimet e Edi Ramës me avion personal, ky i fundit nuk po gjen qetësi.

Me një rritëm kompulsiva ai nuk lë miting elektoral pa sharë, ofenduar apo shfryrë mbi këdo që merret me këtë temë.

Nga një vështrim i komunikimit të kryeministrit përmes postimeve në Twitter, që nga data 27 tetor e deri në 1 nëntor, del se reagimet e Ramës janë të paimagjinueshme.

Fjalori i tij tejkalon çdo limit. Dhe nga që edhe vetë e kupton se nuk bind, reagimet shtohen e ai vazhdon të cicërojë në Twitter. Ndonjë postim e fshin pasi nuk i pëlqen, dhe pastaj rishkruan një të ri.

Pikërisht për të sqaruar këdo që di të lexojë, po i botojmë të gjitha komunikimet e Ramës, mbi këtë temë ku raporti mes epiteteve dhe dhënies së llogarisë dhe informacionit është 1 me 100. Me bold kemi theksuar të gjithë zhargonin vulgar që ka përdorur. Po kur vjen puna për tu informuar, në këtë loghore dufmash është e vështirë të ndriçohesh.

Rama thotë se ka bërë një kontratë promocionale me orë fluturimi me Air Albania, po nuk tregon asnjë faqe të kësaj kontrate me detajime për çdo udhëtim. Jep një shifër për koston mesatare të udhëtimeve që i kushtokërkan  64.972 Lekë të reja (sa gjysma e Berishës thotë ai), por për këtë nuk paraqet asnjë provë, sikur këto numra të ishin noterizuar nga vetë zoti.

Kundërshton shifrën prej 22 milionë euro (që mund të jetë e ekzagjeruar), por nuk tregon një total të shumës të çarterave që ka përdorur. Flet për reklamën që i bën “Ismailit”, po bën sikur harron që duhet të japë llogari edhe për ato udhëtime speciale me kompani të tjera, përpara se të ekzistonte kjo kontratë.

Duket hapur se konceptet që e tërbojnë më shumë kryeministrin janë transparenca dhe llogaridhënia. Nuk i jap llogari shpifësve thotë (“të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë”), duke bërë sikur nuk kupton se të dhënat kanë dalë nga sistemi i tij TIMES, që dyshohet se e kanë hakeruara iranianët.

Pikërisht për të kuptuar më mirë të gjitha ato që ai fsheh Lapsi.al po boton Twitter-at e mbushur me ofendime që dëshmojnë se sharjet marrin peshë atëhere kur mungon argumenti.

Twitter i dates 27 tetor

Sikur udhëtimet e mia të punës t’u kushtonin shqiptarëve sa llogaritë që bëjnë nongratat, spiunët dhe topat e mediave të baltës, unë do të isha thjesht njëri prej tyre, po nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me charter-at e tyre!

Avioni që unë përdor për udhëtime pune nuk është një charter komercial, po një avion për të cilin jam akuzuar edhe më parë nga të njëjtët delenxhinj dhe i kemi dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë!

Sot nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozitarianianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie!

Twitter i dates 28 tetor

Shpifja monumentale e miliona € tregon jo veç degjenerimin e rublaxhinjve të opozitës e gjobaxhinjve të ekraneve,po dhe përçmimin e tyre për shqiptarët: Shpenzimi mesatar vjetor i Kryeministrit për udhëtimet jashtë

2010 251.365Lek të reja /2021  64.972Lek të reja

Twitter i dates 28 tetor ora 15 32

Pastrues parash dhe evazorë të mëdhenj fiskalë janë denoncuar prej kohësh në prokurorinë e TR nga administrata tatimore! Ndërkohë që prokuroria fle mbi dosje këta prodhojnë e amplifikojnë tërë ditën kundër qeverisë lajme të rreme, akuza të mëdha, muhabete të dehurish nga urrejtja!

Twitter që nuk gjendet më

Pra në 2 vite e 9 muaj të përdorimit të avionin promocional Albania me një marrëveshje të favorshme me Air Albanian, udhëtimet e mia u kanë kushtuar taksapaguesve mesatarisht më pak se gjysma e shpifarakut më të ulët në historinë e Shqipërisë, kur fatkeqësisht ishte kryeministër!

Twitter i dates 30 tetor ora 14 15

“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”•“7 punonjës në ditë ikin nga policia”•”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”.Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë!Arsyeja? Duan favore të paligjshme!

Aleanca e Rublave është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar! Një zëdhënës i saj, ngrënës i paepur i turpit me bukë apo i bukës me turp: S’kanë faj ata që shpifin, po ka faj kryeministri që s’bën transparencë për çdo shpifje!

#DavaRublash

Twitter i dates 31 tetor ora 14 59

Njerëz me bisht në vend të gjuhës që tallen me Shqipërinë e shqiptarët, mjeranë në shërbim të Rublave ruse! Vazhdojnë me 22 milionë € për fluturimet e kryeministrit, ndërkohë që udhëtimet e mia kanë kushtuar më pak se gjysma e fluturimeve të Nongratës! #MeFakteJoMeRubla

Twiter i dates 1 nentor që në pikë të mëngjesit

I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?!

Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!”

Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!

Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!/ Lapsi/