Pedagogët - Ramës: Ke edhe dy ditë afat, ndryshe nisim grevën e urisë

Sindikata e pedagogëve e ka përshkallëzuar sot protestën e saj dymujore duke kaluar në paralajmërimin e fundit drejtuar Qeverisë: Edhe dy ditë kohë, para se të kalojmë tek greva e urisë, të cilën e kanë cilësuar si "akt ekstrem të rezistencës paqësore".

Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve të Universiteve, Aleksandër Kovaçi, në fjalën e tij tha: “Atëherë pasi e pritëm tre vite, pasi i lamë dy muaj kohë për të reaguar që nga 30 gushti, i lemë qeverisë shqiptare dhe dy kohë, deri të mërkurën për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së kërkesave tona.

Përndryshe, të mërkurën, datë 2 nëntor 2022, ora 16:00, të gjithë të jemi këtu së bashku në sheshin e Lëvizjes Universitare, përpara UPT në shenjë solidariteti për të gjithë ata bij e bija patriotë që kanë marrë përsipër këtë akt ekstrem të rezistencës paqësore me synim shpëtimin e Arsimit të Lartë nga shkatërrimi dhe Shqipërisë, nga shpopullimi.”

Kovaçi theksoi  se "Lëvizja jonë universitare është e pastër intelektuale dhe si e tillë nuk mund të ketë kompromis për kauzën e drejtë. Ajo vetëm duhet realizuar. Ajo nuk është e mbështetur apo e sponsorizuar as nga rublat ruse që thotë dikush, por ama as nga lirat turke apo juani kinez, as nga lloj tjetër. Por as nga paratë e pista të oligarkisë shqiptare që ka kapur politikën. Ajo ka pasur mbështetjen e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në protestat tona apo ata që kanë qenë me shpirt me të.

Të nderuar kolegë! Ne këtë betejë e kemi filluar prej tre vitesh, por veçanërisht e kemi intensifikuar prej dy muajsh pas peticionit drejtuar autoriteteve më 30 gusht të këtij viti, mbështetur me firma nga 75% e stafit akademik shoqëruar me gjashtë javë protesta në sheshet tona universitare e mbi dy javë bojkot të procesit mësimor.

Por deri tani qeveria ka treguar se nuk ka veshë për të dëgjuar kërkesat tona, nuk ka sy për të parë dhe as ndjenjë e dëshirë për të reaguar e komunikuar në zgjidhjen e çështjeve themelore. Si gjithmonë, afron zgjidhje kozmetike dhe ato më shumë në trajtë premtimesh për sa kohë nuk janë shoqëruar me akte normative. E më keq akoma afron intimidime.

Në këto kushte, pas një diskutimi të gjatë me përfaqësuesit e sindikatës, stafe të ndryshme akadamike, është propozuar të kalohet në protestë në trajtën e grevës së urisë apo të ngujimit si e vetmja formë e lëvizjes paqësore që e lejon edhe ligji që në këtë fazë mund të bëjë efekt për të sensibilizuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, që të detyrojë qeverinë dhe politikën shqiptare në terësi që të vendosë arsimin si prioritet. Një “PO” të madhe për këtë akt të padëshirueshëm por krejtësisht të nevojshëm.

(Ngrihen duart)

“Atëherë pasi e pritëm tre vite, pasi i lamë dy muaj kohë për të reaguar që nga 30 gushti, i lemë qeverisë shqiptare dhe dy kohë, deri të mërkurën për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së kërkesave tona.

Përndryshe, të mërkurën, datë 2 nëntor 2022, ora 16:00, të gjithë të jemi këtu së bashku në sheshin e Lëvizjes Universitare, përpara UPT në shenjë solidariteti për të gjithë ata bij e bija patriotë që kanë marrë përsipër këtë akt ekstrem të rezistencës paqësore me synim shpëtimin e Arsimit të Lartë nga shkatërrimi dhe Shqipërisë, nga shpopullimi.”

Protestës së pedagogëve sot para Universitetit Politeknik të Tiranës i janë bashkuar dhe dy deputetët e opozitës Dashamir Shehi dhe Bujar Leskaj.