Shembja e Teatrit/ AMT nuk ndalet, dërgon fletë të bardhë në SPAK

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka qenë sërish këtë të hënë në SPAK në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar. Pjesëtarët e Aleancës kanë depozituar në Gykatën e Posaçme një fletë  të bardhë, në mënyrë simbolike për të marrë një përgjigje në lidhje me kallëzimin e bërë për shembjen e Teatrit.

Juristja Adriana Kalaja deklaroi gjatë një prononcimi për media se aleanca kërkon zbatimin e Gjykatës Kushtetuese, dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në shembjen e paligjshme të Teatrit si dhe ndalimin e projektit të ri.

“Jemi dëshmitarë që pas kallëzimit të parë ne kemi ardhur 32 herë dhe në të 32 herë kemi kallëzuar të gjithë zyrtarët e lartë, të cilët kanë firmosur jo vetëm lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar, por edhe në lidhje me projektin korruptiv të Teatrit të ri.

Ne edhe sot depozituam një shkresë, e cila është pothuajse e njëjtë me shkresën e fundit, kemi kemi depozituar sërish një fletë të bardhë deri sa SPAK-u të marrë hapin që duhet të marrë sipas dispozitave ligjore, të dërgojë dosjen në gjykatë dhe të dërgojë përpara ligjit të gjithë personat e përfshirë dhe të ndalojë ndërtimin e projektit për Teatrin e ri.

Nuk do rreshtim derisa sa Gjykata të kërkojë sekuestron preventive jo vetëm truallin, por dhe projektin korruptiv të Bjarke Engelsit. Nuk do të ketë Teatër të ri për sa kohë nuk është ekzekutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe për sa kohë SPAK vijon hetimin për zbatimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdojmë ta deklarojmë, në sheshin e Teatrit do të ndërtohet aty ku ishte dhe siç ishte”, tha Adriana Kalaja.