Vrasja në Tiranë/ Ekspertët nuk marrin provat e krimit, SYRI sjell pamjet

Dalin në dritë të tjera detaje nga vrasja e 39-vjeçarit Brikan Sanaj natën e kaluar në Tiranë.

SYRI TV sjell pamje që tregojnë se ekspertët e kriminalistikës nuk i kanë marrë provat nga vendi i këqyrjes. SYRI TV sjell pamje nga vendi ku u gjet makina e djegur, e cila dyshohet se u përdor për ekzekutimin.

Pamjet e SYRI TV tregojnë predha plumbi dhe gëzhoja, si dhe një bidon që është përdorur për të djegur mjetin e përdorur nga autorët.

Ndërkohë për ekzekutimin e tij është përdorur një makinë tip Benz, targat e së cilës ishin vjedhur dy ditë më parë në Tiranë.

Viktima nuk kishte precedentë penalë. Dyshohet se dy autorë kanë realizuar vrasjen e tij.

Pista kryesore e sektorit të krimeve në Policinë e Tiranës është ajo e hakmarrjes. Kjo lidhur me një ngjarje të vitit 2010, ndodhur në afërsi të Lezhës, ku një konflikt banal mes anëtarëve të familjes Sanaj dhe familjes Kola (për një vajzë), çoi në plagosjen e një djali të kësaj të fundit.