Ndalet Milani, Torino i shkakton humbjen e dytë kuqezinjve

 

Torino shtang Milanin dhe i rikthen makthet me Napolin. Pas katër fitoresh radhazi në kampionat, kuqezinjtë e Piolit regjistruan në Olimpico të Torinos disfatën e dytë këtë sezon. Djidji dhe Miranchuk i dhanë suksesin e artë Torinos, që rikthehen te 3 pikët pas pesë rezultatesh aspak pozitive në Serie A.

Milani e nis sfidën mirë me një rast të krijuar nga Leao, i cili pas një asisti të Diaz, tenton të surprizojë torinezët, por pa rezultat. Me minutat që kalojnë, është Torino e cila provon me një goditje të Pellegrit, por pa rezultat. Janë vetëm raste sporadike dhe i radhës që shënohet është ai i Leaos në minutën e 33-të.

Portugezi shkarkon të majtën, por sfera shkon mbi tra. E atëherë kur Milan priste shpërblimin, vjen edhe goli i vendasve. Në të 35-tën minutë, Djidji devijon lehtë me kokë një top të harkuar të Lazaros nga një goditje dënimi për ta përplasur sferën në shtyllë dhe në rrjetë me Tatarusanun që nuk mund të bëjë asgjë.

Pa u zbehur ende entuziasmi i golit, Torino gjen edhe golin e dytë. Aleksey Miranchuk futet në zonë dhe nga e majta, godet duke e dërguar sferën në cepin e pamundur për portierin e Milanit. 2-0 dhe Milan duket i shokuar.

Pioli nis fraksionin e dytë duke lënë në dhoma Kalulu, Diaz e Leao për Dest, De Ketelaere dhe Rebic. Milan provon që të reagojë, por vendasit i shkojnë fare pranë golit të tretë me anë të Buongiorno me një goditje me kokë brenda zonës në minutën e 58-të.

Kuqezinjtë shtojnë ritmin dhe vjen menjëherë goli që rihap takimin. Një goditje me të majtën nga brenda zonës e Messias shkon poshtë tranversës për 2-1. Një gol që shkakton polemika dhe ndëshkimin e trajnerit Juric, i cili protestoi për një faull të pa dhënë në aksionin e golit.

Torino hedh në fushë Rodriguez, Karamoh e David Zima ndërsa Milani inkuadron edhe Giroud. Kuqezinjtë tentojnë deri në fund për të shmangur humbjen, por Torino reziston dhe siguron fitoren e pestë këtë sezon, përballë kampionëve në fuqi.

Pas javës së 12-të, Milan mbetet në vend të tretë, me 1 pikë më pak se Atalanta dhe 6 nga Napoli i vendit të parë, ndërsa Torino ngjitet në vend të nëntë me 17 pikë.