VIDEO/ Shtëpitë ua shkrumboi zjarri, tre familje mbesin në qiell të hapur në Tropojë, thirrje për ndihmë

Tre familje të vëllezërve Nikoçi edhe sonte do ta kalojnë natën në qiell të hapur për shkak se shtëpitë e tyre u dogjën plotësisht dje.

Për fat kanë shpëtuar njerëzit e shpisë ama trishtimi në sytë e pleqve, grave, burrave dhe fëmijëve ishte i tejskajshëm, pasi u është shkrumbuar gjithçka.

Të mbetur pa asgjë, rroba, mobilim, produktet e mbedhura për dimër që nga fasulet, patatet, gështenje deri te ilaçet dhe lodrat simbolike të fëmijëve ata apelojnë për ndihmë. 

Sot pranë familjes Nikoçi ka shkuar ish-deputetja dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Mimoza Hajdarmataj. 

Ajo bën thirrje për ndihmë nga shteti dhe donatorët. 

"Ndihmë nga shteti, i cili duhet të ishte aty të paktën me paketën e ndihmave në rast emergjencash të tilla. Ndihmë nga bashkia për të rindërtuar diçka nga ato rrënoja e jo të paraqitet si një ojf me ca kg ushqime e 2 batanie. Ndihmë nga të gjithë ne, në forma të ndryshme. Rilindja "nuk ka mundësi" tu vijë në ndihmë se nuk ju teprojnë lek nga fluturimet me çarter dhe nga llustrat e fasadave. Rasti është për solidaritet njerëzor. Çdo gjë për ta sot vlen", shkruan në Facebook, Hajdarmataj.