Protesta e pedagogëve: Të hënën protestë kombëtare para Universitetit Politeknik

Pedagogët dhe punonjësit e universiteteve që kanë vazhduar edhe sot bojkotin e procesit mësimor, në kushtet e shurdhmërisë së Qeverisë siç u shprehën ndaj kërkesave të tyre, kanë thirrur një protestë kombëtare të hënën në orën 11 përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, e cila mund të përshkallëzohet deri në grevë urie.

Aleksandër Kovaçi, kreu i sindikatës deklaroi se “ ditën e hënë, në orën 11, kemi një takim kombëtar, një protestë kombëtare këtu para Universitetit Politeknik. U bëjmë thirrje, përveç atyre që e kanë mbështetur këtë peticion, dhe me anë të firmosjes dhe me anë të prezencës këtu në vijimësi në protestat e mëparshme, u bëjmë thirrje edhe atyre që e kanë parë të arsyeshme që këto dy javë të bëjnë mësim, që ta humbin një orë sepse është në shërbim të tyre, për të kërkuar të drejtën e tyre në këtë shesh.

U bëjmë thirrje të gjithëve që të jenë prezent që të vendosim mbi ecurinë e realizimit të kërkesave dhe të një ndryshimi në Arsimin e Lartë Publik.

Jemi në procesin e fundit të draftimit të kontratës kolektive e cila do t’i shërbejë konsolidimit të pozicionit të statusit të pedagogut dhe profesorëve dhe intimidimet ndaj profesoratit do të jenë krejtësisht të pavlefshme pastaj.

Ne nuk e kemi vetëm te rritja e rrogave, edhe kërkimi shkencor është thelbësor në Arsimin e Lartë.

Dhe, nuk jemi, nuk jemi, e përsërisim edhe njëherë, unë si kryetar sindikate posaçërisht, nuk jam që të kalojmë në atë fazën e fundit të kërkimit të së drejtës sonë në mënyrë paqësore, që është faza e grevës së urisë, e ngujimit, por është kërkesë e disa anëtarëve të sindikatës që në gjendjen e shurdhmërisë së qeverisë dhe të autoriteteve që kanë në dorë zhvillimin e universitetit, kemi gjendjen e njerëzve që nuk shohin çfarë është realiteti apo të atyre që nuk kanë dëshirë për ta ndryshuar këtë realitet, mund të shkojmë edhe deri në këtë fazë.”