Bankers Petroleum gjobitet me 20 milionë lekë për shkelje të konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës gjobiti të mërkurën kompaninë e nxjerrjes së naftës bruto për përdorim të kritereve diskrecionare në marrëdhëniet e veta tregtare, duke e gjobitur me gati 20 milionë lekë. Gjoba është e barabartë me 0.2% të xhiros së vitit 2020 të kësaj kompanie.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Autoriteti i Konkurrencës i vendosi një gjobë në masën gati 20 milionë lekë, (171 mijë euro) kompanisë Bankers Petroleum, pasi konstatoi se kompania dominuese në nxjerrjen e naftës në Shqipëri, ka përdorur kritere diskrecionare në marrëdhënie me operatorët ekonomikë që kanë kontrata biznesi me të.

Kompania nga ana e saj i tha BIRN se nuk kishte komente për të bërë në lidhje me këtë vendim.

Kompania, e cila është përgjegjëse për nxjerrjen e rreth 600 mijë tonëve naftë bruto në vit në Shqipëri, ka zakonisht të ardhura vjetore që variojnë në 100 milionë deri në 400 milionë euro kështu që gjoba prej 171 mijë eurove nuk pritet të ketë ndonjë pasojë domethënëse për të.

Gjoba e autoritetit erdhi pasi kompania injoroi urdhëra të mëparshme të AK-së në lidhje me ndalimin e përdorimit të kushteve diskrecionare në marrëdhëniet e biznesit, gjë që mundësohet nga pozicioni dominues i kësaj kompanie në prodhimin e naftës bruto në vend.

‘Gjatë shqyrtimit të çështjes nga Komisioni i Konkurrencës, rezultoi se Ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD, e cila ka pozitë dominuese në prodhimin e naftës bruto në Republikën e Shqipërisë, nuk ka zbatuar vullnetarisht detyrimin sipas pikave II dhe IV të VKK nr. 702/2020 dhe VKK nr. 793/2021, për të aplikuar kushte tregtimi të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore,’ thuhet në vendimin e autoritetit.

Bankers Petroleum prodhoi 610 mijë tonë naftë bruto gjatë vitit 2021 nga 670 mijë tonë në vitin 2020 ndërsa premton se do të investojë për hapjen e 25 puseve të reja me qëllim që të rrisë prodhimin pasi çmimet e naftës janë aktualisht të larta.

Kompania nuk ka dorëzuar bilancin në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2021 sipas detyrimit ligjor. Sipas të dhënave të viteve të mëparshme, të ardhurat e saj në vitin 2020 ishin gati 13 miliardë lekë me humbje në masën 2.7 miliardë lekë ndërsa në vitin 2019, të ardhurat ishin në masën 26 miliardë lekë me fitime neto prej 3 miliardë lekësh.

Bankers është themeluar në vitin 2004 si një kompani e vogël e regjistruar në bursë ndërsa ajo u fuqizua me shpejtësi përgjatë viteve në vijim si pasojë e çmimeve të larta të naftës në dekadën pasardhëse. Ajo ka në shfrytëzim fushën e Patos-Marinzës, e cila është burimi më i madh i prodhimit të naftës në Shqipëri.