Akuzat/ Ish-drejtori socialist u përfshi në përplasjen me armë në Shkodër

Ish-drejtori i Agjencisë së Legalizimit të banesave (ALUIZNI) në Shkodër dhe vëllai i tij, ishin në shënjestër të një sulmi me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së të martës.

Shkak është bërë një debat midis ish-zyrtarit Ardian Kiri dhe shtetasit, Kristian Fermosi. Gjatë debatit ka ardhur me një automjet vëllai i Ardjan Kirit, shtetasi David Kiri, i cili ka goditur me makinë shtetasin Kristian Fermosi. Ky i fundit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të mjetit, por dy vëllezërit kanë arritur t’i shpëtojnë plumbave.

Nga të shtënat me armë zjarri, vëllezërit Kiri kanë arritur të shpëtojnë pa plagë, duke u fshehur mes makinave të parkuara në zonë, shkruan Panorama.

Ndërkohë që autori i të shtënave me armë zjarri është ende në arrati, Policia e Shkodrës ka arrestuar shtetasin David Kiri, vëllai i të cilit u konfliktua mbrëmjen e së martës me shtetasin Kristian Fermosi, edhe këta të dy të shpallur në kërkim. Pas krismës së armës së zjarrit, në vendngjarje krahas forcave të rendit shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

“Në lagjen ‘Skënderbeg’, Shkodër, dyshohet se pas një konflikti të çastit mes shtetasit K.F dhe vëllezërve D. K e A. K, shtetasi K.F dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe është larguar. Nuk ka persona të lënduar. Shërbimet e Policisë dhe një grup i FNSH-së Shkodër po kontrollojnë zonën me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorit”, sqaroi Policia në njoftimin paraprak, duke mos dhënë sqarime të tjera për ngjarjen që tronditi banorët e zonës.

Ardian Kiri ka drejtuar zyrën e ALUIZNI-t në Shkodër i propozuar nga Partia Socialiste atje. Por, përveç drejtimit të një zyre të rëndësishme shtetërore, ai rezulton person me precedent penalë.

Sipas Prokurorisë dhe Policisë Shkodër, Kiri është implikuar në një ngjarje të rëndë në Shkodër e ndodhur më 23 nëntor 2013, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur Gur i Zi. Në atë kohë, mbeti i vrarë shtetasi Marjan Martini, ndërsa u qëllua me breshëri plumbash automjeti i drejtuar nga Nik Gjonlulaj, ndërsa brenda tij ishte edhe i biri.

Në ngjarje u përfshinë bashkë me Kirin edhe shtetasit Lazër Pemaj dhe Gjin Ndreu. Si pasojë e breshërisë së plumbave, mbeti i vdekur Marjan Martini, i cili në atë moment lëvizte me një motoçikletë. Ngjarja sipas dosjes hetimore ndodhi pas një konflikti të ashpër midis Ardian Kirit dhe shokëve të tij, Gjin Ndreu dhe Lazër Pemaj me shtetasin Nik Gjonlulaj në një lokal në Beltojë, ku të gjithë personat kanë qenë duke qëndruar bashkë për drekë. Katër vite më vonë, Gjykata e Apelit vendosi të lirojë Kirin nga qelitë i akuzuar nga Prokuroria për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”, duke kërkuar 30 vite burg. Shkalla e Parë e dënoi atë me vetëm 5 vite burgim për “Armëmbajtje pa leje”.