Berisha: Rama i mbylli Bashës dosjen për paratë ruse!

I ftuar në 'Debat' në A2 CNN, kreu i PD Sali Berisha, foli edhe për çështjen e financimeve ruse në PD gjatë kohës kur partia drejtohej nga Lulzim Basha.

Sali Berisha u shpreh se ai nuk e dinte që Basha kishte marrë para nga rusët. Sipas Berishës, Rama kishte informacion dhe i mbylli dosjen.

“Rama e ka ditur se kemi të bëjmë me financim rus. Unë nuk e kam besuar kurrë se ai mund të kishte marrë para ruse dhe kam hedhur poshtë artikullin.

Por kur unë jam informuar nga diaspora shqiptare në Amerikë, por kemi firmosur letër të bardhë, me idenë se ndihmojmë PD-në, atëherë unë kam denoncuar publikisht, më 14 prill.

Unë kam thënë se Rama po mbyll dosjen e financimit rus të Lulzim Bashës. Prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim serioz për të gjetur burimin e parave të Bashës.

Drejtësia shqiptare kishte çdo mundësi për ta hetuar. Drejtësia shqiptare ka mundësi edhe sot për ta hetuar”, tha Sali Berisha.

Më tej, ai u shpreh se nuk mund të bëjë një denoncim për këtë çështje.

“Unë nuk kam ndonjë provë të re më shumë sesa ka prokuroria. Nëse do të kisha do t’i kisha depozituar”.