Amnistia fiskale e Edi Ramës/ Escobar: Edhe SHBA ka disa shqetësime

Në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare.

Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që takimi i sotëm do të përfshijë një gamë të gjerë çështjesh. Siç e dimë Shqipëria është një vend i pllakosur nga korrupsioni dhe kohët e fundit qeveria ka bërë të ditur një nismë për një amnisti të gjerë fiskale, deri në 2 milionë dollarë. Ka patur shqetësime nga FMN-ja, Banka Botërore, apo Bashkimi Evropian, se kjo mund të përdoret për pastrim parash. A ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara të njejtat shqetësime?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë qëndrim më të qartë, nëse kjo nismë duhet zbatuar, apo braktisur?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat.