Vrasjet që fshehu Ardi Veliu

Deri atë ditë të nxehtë maji të vitit 2020, qytetarët më së shumti e njihni Ardi Veliun si një nga zbatuesit e projektit për një polici të drogës dhe të droguar.

Rrallë e kishin dëgjuar të fliste atë që në median sociale etiketohej si shoferi i Klement Balilit.

Por një video e publikuar në median sociale, ku shiheshin disa policë duke dhunuar barbarisht një të mitur që kishte dalë me biçikletë në parkun e Liqenit Artificial, tronditi opinionin publik.

Kur pritej më së paku dorëheqja e drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shfaq në një takim të Komisionit të Sigurisë. Aty, në mënyrë të neveritshme, jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë, por sulmoi nënën e fëmijës së dhunuar. Ky agresion brutal ndaj një gruaje që po rriste e vetme fëmijët e saj, shokoi shqiptarët.

Me një fjalor të pështirë, Veliu tha se nëna e djaloshit të dhunuar është fajtore për sjelljen e të birit pasi ka postuar video online me një pistoletë.

Shumë shpejt u zbulua se videoja ishte pjesë e një filmi ku nëna e fëmijës që dhunuar luante si aktore. Por ky do ishte edhe momenti i parë kur shqiptarët do shihnin publikisht se si mashtronte Ardi Veliu për të fshehur krimet e policisë.

Pas protestave të shumta, Edi Rama u përbetua se mund të lëshonte këdo, përveç Ardi Veliut. Se përse i duhej kaq shumë Veliu, kjo u bë e qartë pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, kur u vra Pjerin Xhuvani në Elbasan.

Ardi Veliu doli në një konferencë për shtyp, duke mbajtur pas vetes një prokuror që më vonë do katapultohej në SPAK. Të dy gënjyen në mënyrë të paturpshme se në vendin e ngjarjes nuk ishin gjetur materiale të krimit zgjedhor. Ata fshehën sërish rolin e policisë në këtë ngjarje, që siç do provohej më vonë, kishin lejuar këtë krim të rëndë.

Por kulmi i manipulimeve të Ardi Veliut mbërriti në dhjetorin e vitit 2020. Policia vrau një të ri, i cili sërish nuk po bënte asgjë. Klodian Rasha u ekzekutua me gjakftohtësi pranë shtëpisë së tij.

Megjithatë Ardi Veliu e nisi duke u përpjekur të manipulojë ngjarjen që në orët e para pas krimit të rëndë. Për mediat pranë qeverisë u shpërnda lajmi se i riu po vraponte të largohej pasi kishte një armë me vete. Më vonë u tha se i riu i kishte drejtuar armën policëve.

Kur Tirana po digjej nga protestat e të rinjve për Klodian Rashën, pamjet filmike tregonin se bëhej fjalë për një vrasje të pastër, nga një polic, për të cilin pati denoncime se mund të ishte i droguar.

Vrasjet në polici dhe nga policia nuk u ndalën, dukë shënuar një rekord të zi jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe botërore. Megjithatë historia e Rashës u përsërit në rastin e Lear Kurtit. I riu u vra nga dhuna brutale e policëve të rinj. Sërish Ardi Veliu ndërhyri për të manipuluar ngjarjen. Prapë e njëjta skemë si me Rashën. Veliu manipulonte, kurse mediat e qeverisë hidhnin baltë mbi viktimën.

Në të gjitha rastet, nga pas Veliut shfaqet Edi Rama. Gjithmonë i gatshëm për të sulmuar këdo që ia prek atë. Gjithmonë gati për të mbrojtur çdo variant të krimit. Edhe në rastin e Learit, gjëja e parë që bëri ‘prokurori’ Rama ishte t’i turrej opozitës dhe të mbronte Veliun. Sepse i duhet. Sepse ai është njeriu që mbron bandën kriminale poshtë uniformës së Policisë së Shtetit.