‘Ekipi është krijuar keq’, Duro pas fitores me Kukësin: Duhet të shënonim që në 20 minutat e para

Trajneri i Egnatias, Shpëtim Duro, e ka cilësuar fitoren e sotme ndaj Kukësit si shumë të rëndësishme dhe rrjedhojë të lojës që ka bërë ekipi i tij. Ai deklaroi se ekipi ishte ndërtuar keq dhe kjo ishte arsyeja pse deri tani kishte vuajtur luhatje të mëdha.

“Sigurisht kishim përballë një kundërshtar që po bënte mirë në javët e fundit. Psikologjikisht ishte jashtëzakonisht mirë, ndaj një kundërshtari si Egnatia me probleme psikologjike. Sigurisht takimi ishte i vështirë, por edhe para ndeshjes kam thënë që do shkojmë për fitore se pashë te ekipi që ka elementë. Por kam mendimin që sot nuk ka qenë rastësi, ka qenë përgatitje dhe zbatim me përpikmëri i detyrave që i dhashë skuadrës.

Unë nuk do të kthej kokën mbrapa, përderisa mora përsipër këtë detyrë, nuk do të ktheja kokën mbrapa, por e rëndësishme do ishte ta merrja në verë ta ndërtoja me idetë e mia. Por futbolli është i tillë, ka lojtarë të mirë, por ka 2-3 mungesa cilësore për të ngritur skuadrën më lart.

Këto 4 seanca që kam bërë me skuadrën, kemi studiuar kundërshtarin. Ishte po ajo skuadër me ndonjë ndryshim, djemtë kanë luajtur jashtëzakonisht mirë, me fanatizëm në zbatimin e detyrave, eliminuam pikat e forta të tyre. Kjo ndeshje, nëse do të shfrytëzonim mundësitë në fillim, nëse në më tej me Delarzhin do shënonim rastet e krijuara, ndeshja do të ishte shumë e lehtë. Situatat ishin rezultat i rrjedhës logjike të lojës, patjetër pat edhe Kukësi, por duke përqendruar lojën te qendërsulmuesi i gjatë. E kishim parashikuar por mbrojtja jonë ka luajtur shumë mirë, ashtu siç e kam menduar unë.

Rezultati të jep moral, e kemi parë Egnatian që ka zhvilluar ndeshje të mira, ka pasur momente me gabime individuale, edhe fati është pjesë e lojës. Por realisht është në vendet e fundit dhe kjo krijon probleme psikologjike. Objektivat janë madhorë kur është ndërtuar, unë e thashë që nuk do të shoh mbrapa, pro çfarë do të bëjmë në ndeshjet para, ishte interpretimi, kisha marrë masa për mbulimin e krahëve që futeshin në qendër. Kjo ishte zgjidhja që mendoj se nuk i lamë hapësira, duke i bërë presing dy vëllezërve Taipi, e dinim që Kukësi do të kishte disa situata, por ne kishim më shumë me Delarzhin. Ne duhej të kishim shënuar që në 20 minutat e para. Pastaj ato të tjerat ishin raste jashtëzakonisht të pastra.

Për mua skuadra nuk është ndërtuar mirë, ka lojtarë shumë të mirë, por struktura e skuadrës është ndërtuar jo mirë. Në mesin e fushës luajnë 2 ose 3 mesfushorë dhe aty janë 7 që për mua është jashtë logjike. Në sulm luan një ose dy, janë 5. Në krahë ka mangësi, janë vetëm Fangaj dhe Musta, nuk ka zëvendësues. Ka lojtarë të rinj por jo të atij niveli. Duhet që në çdo pozicion të ketë ekuilibër dhe cilësi. Ia kam thënë presidentit që ka harxhuar shumë, por për mua skuadra ndërtohet me pak lojtarë me shumë cilësi”, theksoi Duro për “Oversport”.