Bellai e ka me arbitrin: Nuk u vjen keq për djersën e këtyre çunave?

Bylisi mori një humbje në javën e 9-ë të Superiores përballë Vllaznisë në transfertë, me rezultatin 1-2. Pas sfidës, trajneri Arian Bellai, nuk ishte i lumtur me gjykimin, i cili sipas tij solli humbjen për ballshiotët.

“Unë në radhë të parë dua t’i them bravo çunave, sepse krijojnë shumë. Të krijosh me ekipe të mëdha është shumë. Jam i revoltuar për dy rasteve. Penalltinë duhet ta shikonte në radhë të parë. Interpretimi duhet të bëhet ashtu të shikojmë. Nuk u vjen pak keq për djersën e këtyre çunave? Nuk duhet të krijojmë paragjykime ne si trajnerë e si futbollistë. Besoj se ka çuna të shkëlqyer, siç ishte ai përpara një jave kundër Tiranës. Ishte për t’i hequr kapelën. Tirana është kapele. VAR-i na ka hequr gol, s’na ka dhënë penallti me Durësin, s’na ka dhënë penallti në Laç. Duam akoma dhe më shumë punë, por dikur do të dalin dhe golat.

Unë nuk jam ekspert për penalltinë. Nuk bëj seminare siç bëjnë këta. Në më të shumtat ishte i drejtë. Vetëm atë avantazhin e Bejit nuk e kuptova pse i ra bilbilit. Avantazhi i jep të gjithve plus, vetëm këtë nuk e kuptova.

E kam thënë dhe herë tjetër që jam i kënaqur që punoj me këta çuna. Duhet të vazhdojmë mirë, besoj se do të vijë dhe goli. Edhe 16 të jenë, ne do të luajmë. Unë nuk dua të na hajnë hakun. Nuk duhet të hanë djersën e futbollistëve. Ata që heqin ata çdo javë, për të luajtur. Ne do të vzhdojmë. E mira është që kemi 11 pikë. Unë mendoj të vazhdojmë të punojmë, të luftojmë dhe të arrijmë objektivin tonë”, u shpreh Bellai për “Oversport”.