Ktheu banesën në ‘shtëpi bari’, arrestohet pronari në Krujë/ Kapen 58.5 kg kanabis

Policia ka zbuluar një shtëpi bari në Krujë, ku në dy ambiente përpunohej dhe përgatitej lënda narkotike për t’u shitur.

Në pranga është vënë një i ri, pronari i banesës, të cilit iu sekuestruan edhe 58.8 kilogramë kanabis në proces tharjeje.

Po ashtu policia thotë se u gjet edhe municion luftarak, ndërsa kishte edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në, Krujë, si dhe bazuar në inteligjencë informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

-V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis. Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme. Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasit V. S.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.