SYRI TV/ Rama pezullon ndërtimin e instilacionit 4 mln euro në Kryeministri, FSHZH nuk jep arsye

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të pezullojë përkohësisht ndërtimin e instalacionit prej druri, mesa duket në përpjekje për të zbutur kritikat e ashpra që mori idea e tij për vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro për një objekt fare pa vlerë në kohë krize.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili po zhvillon procedurat për ndërtimin e kullës prej druri sipas konceptit të kopshtit Eden, ka njoftuar Agjencisë e Prokurimit Publik për pezullimin e përkohshëm të tenderit. Arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë publike. 

Megjithatë, në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik është bërë njoftimi se tenderi është pezulluar. Procedura ishte parashikuar të mbyllej në 19 Tetor, kur pritej të shpallej edhe fituese.  Projekti u iniciua nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili urdhëroi Këshillin e Ministrave që të miratonte një procedurë të veçantë për ndërtimin e instalacionit prej druri në Korrik 2022.

Më tej, në fund të muajit gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli procedurën “Ndërtim instalacioni prej druri”, me fond limit 431 milionë lekë të reja ose më shumë se 3.7 milionë euro. Ky tender nxiti reagimin e fuqishëm të opinionit publik, i cili po përballet me një prej krizave më të thella ekonomike në 30 vitet e fundit. Rama deklaroi se instalacioni prej druri nuk është vepër arti, por një projekt për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Megjithatë, dokumentat e tenderit treguan se instalacioni nuk ka asnjë lidhje me panelet fotovoltaike, të cilat do të vendosen mbi tarracën e kryeministrisë nëpërmjet një procedure tjetër, tërësisht të pavarur nga kulla prej druri.