Mohoi masakrën e Reçakut, gjykata në Kosovë dënon anëtarin e Listës Serbe me burg

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me një vit burg zyrtarin e Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviç, për mohimin e masakrës së Reçakut.

Në vendimin e marrë në seancën e rigjykimit thuhet se ish-ministri dënohet ‘për përhapje të urrejtjes dhe jo tolerancës’, dhe këtë e konfirmoi dhe vetë avokati i tij i mbrojtjes.

Çështja gjyqësore kundër tij u ngrit pasi në mars të vitit 2019 për këtë deklaratë të tij: ‘Arsye për agresionin e NATO-s kundër vendqëndrimeve të ushtrisë jugosllave në vitin 1999 ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut’.

Për vendimin e gjykatës reagoi menjëherë Lista Serbe, duke e konsideruar dënimin me burg, ‘një tentativë për persekutim të serbëve në Kosovë’. Avokati mbrojtës konfirmoi se vendimi do të ankimohet.