Rikthehet NBA/ Ja kush janë skuadrat favorite në secilën Konferencë

Do të startojë mesnatën e sotme sezoni i rregullt i NBA, që rezervon që në fillim një përballje gjigantësh. Kampionët në fuqi të Golden State Warriors të udhëhequr nga Steph Curry do të masin forcat me LA Lakers të Lebron James. 

Po bëjmë një analizë të shkurtër të skuadrave që konsiderohen si favorite në secilën Konferencë në prag të fillimit të sezonit të rregullt.

Konferenca e Lindjes

Milwaukee Bucks konsiderohen si favoritët kryesorë për të fituar këtë Konferencë. Kampionët e vitit 2021 zhgënjyen sezonin e kaluar edhe për shkak të disa mungesave, por këtë vit skuadra e udhëhequr nga 2 herë MVP Giannis Antetokounmpo është pretendente për të fituar titullin.

Philadelphia 76ers dhe Boston Celtics (kampionët e Konferencës sezonin e kaluar) mbetet rivalët kryesorë të Bucks këtë sezon.

Brooklyn Nets dhe Atlanta Hawks shihen si dy skuadrat që mund të surprizojnë këtë sezon në Konferencën e Lindjes.

Konferenca e Perëndimit

Kampionët në fuqi të NBA, fituesit e katër titujve në tetë sezonet e fundit, 6 herë fituesit e Konferencës së Perëndimit gjatë kësaj periudhe, Golden State Warriors, janë favoritët kryesorë për të triumfuar edhe këtë sezon. Stephen Curry, Klay Thompson dhe Draymond Green vazhdojnë të jenë një treshe magjike që mund të bëjnë çudira në parket.

Dy skuadrat e Los Angeles, LA Lakers dhe LA Clippers pritet që të jenë rivalët kryesorë të “luftëtarëve” në këtë konferencë.

Denver Nuggets dhe Memphis Grizzlies shihen si dy nga ekipet që mund të surprizojnë në Konferencën e Perëndimit këtë sezon.