Vrau kolegun/ Dosja e Zaimit në gjyq, mbrojtja: Ka probleme mendore

Në Gjykatën Penale të Tiranës ka arritur dosja e Prokurorisë së Tiranës në lidhje me çështjen e Ludjan Zaimit, efektivit 25-vjeçar të policisë, i cili pas disa debateve me kolegun e tij Çaush Saliasi, qëlloi në drejtim të tij me të paktën shtatë plumba siç thuhet në dosjen e prokurorisë, ku i shkaktoi vdekjen e menjëhershme pa mbërritur në ambientet e spitalit.

Prokuroria ka dorëzuar dosjen në gjykatë dhe në datën 2 nëntor, Gjykata Penale e Tiranës do të vendosë për fatin e kësaj çështje, nëse do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për të kaluar çështjen për gjykim, do të vendosë pezullimin e çështjes, apo rikthimin për hetime në prokurori në rast se konstatohet nga ana e gjyqtarit të seancës paraprake se nuk janë ezauruar të gjitha metodat e hetimit.

Mbetet për t’u parë edhe nëse Ludjan Zaimi nëpërmjet mbrojtësve të tij do të kërkojë ose jo të gjykohet me procedurën e gjykimi të shkurtuar në rast se dosja do të kalojë për gjykim.  

Që në momentet e para që u bë kontrolli i Zaimit në banesën e tij u gjetën disa medikamente sipas prokurorisë të cilat ishin anti-depresantë. Nga ana e Prokurorisë së Tiranës u urdhërua që të kryhej një ekzaminim më i thelluar. Në akt ekspertizën e cila i ka mbërritur grupit të hetimit rezulton që pjesërisht Ludjan Zaimi ka probleme të shëndetit mendor duke qenë se herë pas here ai ka përdorur medikamente të ndryshme dhe është kuruar për depresion.

Të njëjtin qëndrim e kanë mbajtur edhe familjarët e tij, të cilët mendojnë se Zaimi kishte probleme të shëndetit mendor dhe për këtë arsye ka përdorur në mënyrë të rregullt medikamente të ndryshme, por deri në këto momente nuk rezulton se ai ka pasur një kartelë mjekësore për problemet e shëndetit mendor.

E gjithë ngjarja u zhvillua për shkak se Ludjan Zaimi pretendonte se shpesh herë bullizohej nga kolegu i tij Çaush Saliasi. Ata kishin pasur disa herë probleme mes tyre në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka pasur një përplasje verbale midis tyre dhe për këtë arsye, Ludjan Zaimi mori pistoletën e shërbimit dhe qëlloi në drejtim të kolegut.