Vijnë reagimet nga Palestina dhe Izraeli pas vendimit të Australisë për Jerusalemin

Palestinezët kanë përshëndetur vendimin e Australisë për të anuluar njohjen e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet i Izraelit, pavarësisht kritikave të ashpra nga Izraeli.

“Ne mirëpresim vendimin e Australisë në lidhje me Jerusalemin dhe thirrjen për një zgjidhje me dy shtete në përputhje me legjitimitetin ndërkombëtar”, shkroi të martën në Twitter ministri i Çështjeve Civile të Autoritetit Palestinez, Hussein al Sheikh.

Sheikh përshëndeti “pohimin e Australisë se e ardhmja e sovranitetit mbi Jerusalemin varet nga zgjidhja e përhershme e bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar”.

Duke njoftuar ndryshimin e politikës nga qeveria e qendrës së majtë të Australisë, ministrja e Jashtme, Penny Wong tha se statusi i Jerusalemit duhet të vendoset përmes bisedimeve të paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe jo përmes vendimeve të njëanshme.

“Ne nuk do të mbështesim një qasje që minon” një zgjidhje me dy shtete, tha ajo, duke shtuar: “Ambasada e Australisë ka qenë gjithmonë dhe mbetet në Tel Aviv”.

Ndërkohë kryeministri izraelit Yair Lapid e përshkroi ndryshimin e politikës nga qeveria e qendrës së majtë të Australisë si një “përgjigje të nxituar”.

“Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm dhe i bashkuar i Izraelit dhe asgjë nuk do ta ndryshojë kurrë këtë”, ka thënë Lapid në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

Në vitin 2018, një qeveri konservatore e udhëhequr nga Scott Morrison ndoqi udhëheqjen e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump në emërimin e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet izraelit.

Ky veprim shkaktoi një reagim të brendshëm në Australi dhe shkaktoi fërkime me Indonezinë fqinje – kombin më të populluar në botë me shumicë myslimane – duke prishur përkohësisht një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Qyteti pretendohet si nga izraelitët ashtu edhe nga palestinezët, dhe shumica e qeverive të huaja shmangin shpalljen zyrtare të tij si kryeqytet të çdo shteti.