Irani mohon t’i ketë ofruar Rusisë armë ‘për t’u përdorur’ në Ukrainë

Irani ka hedhur poshtë sërish akuzat se ka furnizuar Rusinë me armë “për t’u përdorur në luftën në Ukrainë”, tha sot ministria e tij e jashtme, shkruan Sky News.

Kievi dhe pjesa më e madhe e Perëndimit kanë akuzuar Moskën për përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në sulmet ndaj Ukrainës në javët e fundit.

Dhe kjo temë pritet të diskutohet nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në një takim sot në Luksemburg.

Në një deklaratë, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian “theksoi se Republika Islamike e Iranit nuk ka dhe nuk do të sigurojë asnjë armë për t’u përdorur në luftën në Ukrainë”.

“Ne besojmë se armatosja e secilës anë do të zgjasë luftën”, ka thënë ministri i jashtëm iranian në një telefonatë me homologun e tij portugez Joao Gomes Cravinho.

“Ne nuk e kemi konsideruar dhe nuk e konsiderojmë luftën si rrugën e duhur as në Ukrainë, as në Afganistan, Siri dhe Jemen”.

Në një telefonatë të veçantë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të premten, Amir-Abdollahian përsëriti qëndrimin zyrtar të neutralitetit të Iranit mbi luftën që filloi gati tetë muaj më parë.