Masakra me tre viktima në Klos/ Zbardhet dëshmia e 16-vjeçares

Zbardhen dëshmi të reja të vajzës 16-vjeçare S. Mjeshtri, e cila ishte dhe shkaku i ngjarjes së rëndë që shkaktoi tre viktima mes të cilëve dhe babai i saj Fadil Mjeshtri dhe që tronditi Klosin pak ditë më parë.

Mësohet se ajo ka deklaruar në polici nuk ka pasur asnjë foto dhe video nudo me dy të rinjtë. Por ka pretenduar se shantazhohej në mënyrë të vazhdueshme prej dy të rinjve, raporton Ora News.

Ky shantazh sipas saj është bërë edhe përmes hapjes së thashethemeve mes shokëve dhe shoqeve të klasës, duke sjellë për një moment mbylljen në banesë dhe refuzimin për të shkuar në shkollë.

E mitura ka rëfyer para psikologes së shkollës dhe policisë se dyshonte që dy të rinjtë mund të kishin foto të saj në plazh, të cilat ajo i kishte publikuar në Instagram. Por në asnjë moment s’ka menduar dhe besuar se Kenado Shira dhe Renato Hasula kishin foto nudo.

E mitura, pasi ka dhënë dëshminë në polici dhe ka marë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të saj, mësohet të jetë larguar nga zona e Klosit.

Policia dhe prokuroria e Matit, tashmë nuk kanë asnjë person të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë, ku mbetën të vrarë tre persona dhe dy të tjerë u plagosën. Autori i këtij krimi, Fiqiri Mjeshtri, vetëm pak minuta pas shkaktimit të masakrës, vrau veten në dalje të qytetit të Klosit. Biseda e fundit e tij ishte me vëllain, Besnik Mjeshtrin, të cilit i kërkoi t'i kishte amanet fëmijët.

Aktualisht hetimet, janë përqëndruar tek ekspertimi i aparateve celulare të protagonistëve të kësaj ngjarje, me shpresën e zbardhjes së bisedave telefonike që kanë kryer të rinjtë, por edhe prindërit e tyre.

Kjo ngjarje e rëndë sipas grupit hetimor do shkojë drejt mbylljes pasi autori i këtij krimit vrau veten. Pas një takimi për sqarimin e situatës, Fiqiri Mjeshtri ekzekutoi babë e bir, Kenado dhe Liri Shira. Ndërsa të plagosur mbetën Eglantin dhe Renato Hasula.