Dialogu Serbi-Kosovë, SHBA pro planit franko-gjerman

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin planin franko-gjerman për arritjen e një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan Kristofer Hill gjatë një interviste të dhënë në programin e gjuhës serbe të Zërit të Amerikës.

“Ne e mbështesim këtë propozim. U takon evropianëve të flasin për këtë. Por mund të them se evropianët duan që kjo gjë të lëvizë. Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”, tha Hill.

Ambasadori Hill tha se dëshira për përparim është pasqyruar edhe në telefonatat e së martë që zhvilloi Sekretari i Shtetit Antony Blinken me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.  

Sakaq as Parisi dhe as Berlini zyrtar nuk kanë folur për propozimin, i cili sipas presidentit serb, parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.