Aksidentoi për vdekje ish-kunatin: Prokuroria kërkon 35 vite burg

32-vjeçari Albert Kaca, i cili përplasi për vdekje me makinë ish-kunatin e tij në Ishull-Lezhë, rrezikon dënimin me 35-vite burg.

Kjo masë dënimi është kërkuar nga prokuroria e Lezhës, e cila dha në gjykatë konkluzionet përfundimtare në lidhje me këtë çështje, raporton Report TV.

32-vjeçari Kaca akuzohet për veprën penale "Vrasje e kryer brenda rrethit familjar" dhe sipas organit të akuzës është arritur të provohet se i pandehuri e ka goditur me dashje për vdekje me makinë ish-kunatin e tij Ylli Mena.

Tashmë do të jetë trupa gjykuese e cila do të japë vendimin përfundimtar për 32-vjeçarin Albert Kaca, i cili vijon të jetë në arrati, pasi pas ngjarjes arriti të largohet dhe nuk është arritur të prangoset nga policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi me 21 shtator të vitit 2019-të në Ishull-Lezhë, teksa 32-vjeçari Ylli Mena po lëvizte me biçikletë u përplas nga një automjet dhe gjeti vdekjen disa orë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk mundi t’ju mbijetojë plagëve të marra.

Fillimisht u dyshua për aksident, por pas veprimeve hetimore rezulton se ngjarje ishte e qëllimshme dhe policia shpalli në kërkim 32-vjeçarin Albert Kaca. Autori dhe viktima kishin patur konflikte më njëri tjetrin që pas divorcit të Ylli Menës me motrën e 32-vjeçarit Kaca.