Pedagogu i ri: Studentë, mos më pengoni të protestoj, por ejani edhe ju!

Në protestën e pedagogëve që po mbahet para Universitetit të Arteve ka tërhequr vëmendjen fjala e një pedagogu të ri nga Fakulteti i Gjeologjisë-Minierave, prof. Erison Karamani.

“Vazhdoni të luftoni për dinjitetin tuaj, - e nisi fjalën e tij dhe shpjegoi. -  E kërkova fjalën se më shqetëson një e vërtetë, se absurdi është ulur këmbëkryq në vendin tonë. Unë vij nga një familje e thjeshtë, nga një fshat i Beratit. Prindërit e mi në kohën e regjimit nuk patën mundësi të arsimoheshin, por ata sakrifikuan për mua në emigrim që të studioja dhe unë  t’ua shpërbleja sakrificën.

Po në vend që të studioja, më duket se kam bërë një gabim! Më mirë të kisha hyrë në ato programet degjeneruese në televizion ku fitohen miliona ose të kisha ikur në emigrim. Ndoshta do qe më mirë të kisha marrë dhe ndonjë teserë partie e t’u jepja prindërve shumë më tepër se ç’kam nga rroga.

Thonë që arsimi është prioritet kur qeveria për një instalacion shpenzon 4 milionë euro kurse shpenzimi për kërkimin shkencor vjet ishte 300 mijë euro!!!

Mbi të gjtiha, një “shuplakë” do të kisha për shoqërinë që ankohet se nuk ka protesta por sa dikush ngre zërin, të gjithë e kryqëzojnë. Dhe pastaj ankohemi se nuk ka protesta!

Siç kolegët e mi e thanë, një pedagog i mirëpaguar është një cilësi në mësimdhënie, dhe një investim në kërkim shkencor është cilësi.

Do ta mbyll me studentët me të cilët kam pasur një komunikim intensiv. Ndoshta bojkoti ynë i cenon ata ekonomikisht. Atëherë dilni dhe protestoni, po mos më kërkoni që të heq dorë nga protesta ime, se mua më kërkohet të jetoj në një realitet ku mund të mos kem kurrë shtëpinë time, të mos krijoj dot kurrë familjen time. Do të vijë një ditë që një student një ditë do vijë këtu ku jam unë dhe arsyeja që do të vendosë ta lerë Shqipërinë është se absurdi është ulur këmbëkryq në këtë vend.”