'Peng i Beogradit dhe Ankarasë'/ Bytyçi: Rama dëmtoi Kosovën dhe fajësoi gjithkënd përveç Serbisë

Analisti Enver Bytyçi komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Europës. Bytyçi tha se fjalimi i Ramës ishte i paralajmëruar prej muajsh.

Ai theksoi se propaganda e qeverisë shqiptare është kujdesur me një regji dhe skenar të jashtëzakonshëm që fjalimi të pritej me kërshëri shumë të madhe dhe të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek opinioni publik.

Më tej analisti tha se kryeministri Edi Rama u paraqit si arrogant ndërsa theksoi se ai s'pati kujdesin e duhur për të paraqitur shqetësimet e opinionit publik shqiptar, shqetësimet e politikës shqiptare dhe shqetësimet e Kosovës. Bytyçi deklaroi se Edi Rama fajësoi gjithkënd përveç Serbisë ndërsa shtoi se dëmtoi Kosovën.

"Pjesa e parë e fjalimit ishin ato që i duhen një lideri politik në asamblenë parlamentare. Fjalën ishin zgjedhur në mënyrë të kujdesshme dhe kishin mesazh. Nëse do e vazhdonte me këtë ritëm, ndoshta do cilësohej si fjalim i arrirë dhe i suksesshëm. Fatkeqësisht Rama nuk i çon dot deri në fund principet që proklamon në fjalime te veta sepse qëllimi i fjalimeve të tij është që të kurojë vetëveten në sytë e opinionit publik në Shqipëri dhe jo në sytë e BE-së.

Nuk e realizoi këtë sepse ai objekt të fjalimit kishte raportin e Dick Martyt për ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Përmendi Dick Martyn, fajësoi për raportin, Këshillin e Europës. Fajësoi gjithkënd përveç Serbisë.

Ka shkruajtur BIRN, Reporterët dhe shumë gazeta ku pasqyrohet qartë se subjekti i raportit të Dick Martyt është marrë në 90 për qind të përmbajtjes nga Prokurori Special i Krimeve të Luftës në Beograd.

Ndonëse Serbia e Beogradi janë krijuesit e kësaj fabule të gënjeshtrave e mashtrimeve sa i përket qëndrimeve të eksponentëve të UÇK, Rama nuk e përmendi asnjë rast të vetëm se Serbia është përgjegjëse jo vetëm për luftën dhe masakrat e genocidit, nuk mundi të përmendë se Serbia është skenariste e gjithë asaj që ka ndodhur me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe me raportin e Dick Martyt."-tha Bytyçi.

Analisti Bytyçi tha se kryeministri Edi Rama bën kujdes të jashtëzakonshëm në çdo aktivitet që të mos atakojë dy qendra politike në botë, Beogradin dhe Ankaranë.

"Beogradin dhe Ankaranë i mban si dy kryeqytete që nuk është atakuar asnjëherë të vetme gjatë viteve që qeveris Shqipërinë. Ose është peng i këtyre vendeve ose ka interesa të caktuara me të cilat ai operon në marrëdhënie me këto dy vende."-tha Bytyçi në Syri Tv.