Çipa: Rama iu kundërvu rezolutës që atakon Shqipërinë, Erl Murati: S'kemi luksin të humbin aleatët!

Qëndrimet për fjalimin e Edi Ramës në Asamblenë Parlamentare të KiE, janë të ndara. 

Në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, gazetari i njohur Aleksandër Çipa tha se Edi Rama kërkoi rrëzimin e rezolutës që atakon edhe Shqipërinë dhe përgatitjen e një rezolute të re, ku të mos dëmtohej lufta e UÇK, një luftë e drejtë për liri.  

Ndërsa, Erl Murati, kryedaktor i Gazeta Shqiptare, tha se Shqipëria nuk ka luksin të humbë mbështetje ndërkombëtare dhe aleatët e saj, prej gjuhës që përdor Edi Rama.  

Aleksandër Çipa: Në atë rezolutë të miratuar prej KiE 11 vite më parë, atakohej shtetërisht Shqipëria. Rezoluta bazohej në dy protagonizma, protagonizmin e ish-prokurores së Hagës të Carla del Pontes dhe raportin e Dick Marty. Akuza tronditi opinionin publik ndërkombëtar. Goditi imazhin e shqiptarëve, jo vetëm Kosovën. Unë nuk mendoj se Rama do të shkonte në fjalimin e tij për të marrë atributin e një gjykimi për gjenocidin, por në pikëpamjen e të drejtës politike dhe të drejtës ndërkombëtare këtë gjë e specifikoi. U tha, vendi im bashkë me ju miratoi një rezolutë 11 vite më parë e cila atakonte vendin tim dhe e godiste si imazh dhe si përgjegjësi juridike. Sepse ky raport ka pretenduar se në Shqipëri ka ekzistuar një shtëpi e verdhë ku kryheshin transplante të organeve njerëzore. Për këtë arsye drejtuesit politikë dhe ushtarakë të UÇK janë sot në gjykatë. Sa kohë gjykata e ka mbyllur procesin akuzues për këtë çështje për të akuzuarit që janë në gjykatë, tash kemi të drejtën moral që edhe politiksht ta kthejmë këtë gjë. Pse në këtë kohë? Cilat janë qëllimet? Kjo është tjetër gjë.   
 
Erl Murati: Qëndrimet janë të polarizuara si në Shqipëri dhe Kosovë. Taulant Balla e quan fjalim historik. Berisha thotë ishte ditë e zezë për shqiptarët, ishte skandal, tradhti. Unë mendoj që është as njëra dhe as tjetra. shte një fjalim tipik për një politikan atipik që është Edi Rama, që i thotë gjërat në mënyrë të drejtpërdrejtë. Trump e bën këtë sepse përfaqëson një shtet të madh. Ndërkohë që Shqipëria nuk e ka luksin dhe Shqipëria e përfaqësuar nga Edi Rama duhet të jetë më e kujdesshme në raport me aleatët. E para është përmbjtja dhe e dyta forma. Qëndrimi ishte për t'u lavdëruar, mbrojti luftën e UÇK, mbrojti tezën që nuk ka patur shtëpi të verdhë në Shqipëri, kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Sa i takon formës, nuk mund të shkosh në Strasburg dhe të vendosësh në pikëpyetje integritetin moral të këtij institucioni ku ne jemi bërë pjesë vullnetarisht. Edi Rama, njësoj si Vuçiç do të shitet si faktor rajonal, të paraqitet para SHBA dhe BE si faktor i rëndësishëm rajonal. Të gjithë e kanë përdorur çështjen e Kosovës si kartë personale për të rritur pikët politike të vetes.