Erdogan thotë se Turqia synon të ndalë gjakderdhjen në luftën Rusi-Ukrainë

Ankara - Qëllimi i Turqisë është që të ndalojë sa më shpejt gjakderdhjen në luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, pavarësisht pengesave, deklaroi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, sipas medias shtetërore turke Anadolu Agency.

"Qëllimi ynë është të vazhdojmë vrullin që kemi marr pavarësisht nga vështirësitë në terren dhe të ndalojmë gjakderdhjen sa më shpejt të jetë e mundur", tha Erdogan në samitin e gjashtë të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Erdogan shtoi se përpjekjet intensive të Turqisë me OKB-në dhe dy palët në konflikt për të frenuar efektet negative të luftës janë vlerësuar nga e gjithë bota. Ai tha se marrëveshja e grurit e arritur në Stamboll këtë korrik dhe shkëmbimi i të burgosurve në shtator midis Rusisë dhe Ukrainës janë të dyja "arritje të rëndësishme" në këtë drejtim, vëren media shtetërore turke.

Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll më 22 korrik për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.