Berisha: Do të bëjmë gjithçka për bashkimin e plotë të PD! Ju do të votoni për kandidatët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Vaun e Dejës se do të bëjnë gjithçka për bashkimin e PD-së.

Berisha iu tha banorëve se do të votojnë për kandidatët ndërsa shtoi se do bëjnë gjithçka që të dalin me një kandidat dhe të fitojnë zgjedhjet.

“Ne po ecim drejt zgjedhjeve. Këto zgjedhje kanë një rëndësi kritike për ne dhe vendin. Kemi vendosur norma demokratike. Cilat janë këto? Vota juaj do të përcaktojë deputetin, kryetarin e partisë, atë të bashkisë dhe çdo gjë.

Sot i kemi dhënë fund kryetarokracisë dhe kemi vendosur vullnetin tuaj, të anëtarëve të PD në vendimmarrje, piedestal. Në këto zgjedhje që do të votoni për më të mirin tuaj, ne do të japim mundësi të votojnë edhe simpatizantët tanë.

Por kush do ti përcaktojë ata? Do ti përcaktoni ju vetë, jo ne. Asnjë simpatizant nuk do të përcaktohet nga kryetari i partisë këtu. Të gjithë do të regjistrohen nga ju, nga seksioni i PD-së. Ju i njihni ata, ju bashkëpunoni me ta, ju keni një jetë të tërë me ta, ju keni besimin me ta.

Kjo na bën ne një forcë politike shumë më të fuqishme. Ne besojmë te vota se vota është vullneti i lirë. Në këto zgjedhje ne shkojmë me një praktikë të re, shkojmë të bashkuar.

Do të bëjmë gjithçka për bashkimin e plotë të PD në të gjitha aspektet. Do të bëjmë gjithçka për bashkimin e plotë të opozitës shqiptare, të shkojmë në zgjedhje me një kandidat dhe të fitojmë zgjedhjet e ardhshme siç e meritojmë.”-deklaroi Berisha.