Dy ditë pas vizitës së Berishës, Lazarati nën terrorin e FNSH, policia bastis shtëpitë

Dy ditë pas vizitës së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, policia ka rrethuar Lazaratin. 

Mësohet se policë të armatosur deri ne dhëmbë kanë mësyrë në Lazarat.

Lajmi konfirmohet nga gazetari Armando Rabaj i cili nga vendngjarja konfirmon se uniformat blu kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në banesat e këtij fshati duke shkaktuar frikë dhe panik tek banorët.

"Kanë qenë gati 20 policë të armatosur me uniformë dhe civilë të cilët kanë bastisur një familje në Lazarat ku ndodhej e vetme një grua e moshuar 70-vjeçare. Kjo e fundit është tmerruar dhe i ka pyetur policët për kontrollin e befasishëm ndërkohë që njëri nga policët i ka pohuar se në banesë ka armatim.

Kontrolli ka rezultuar NUL pasi nuk kanë gjetur armë apo gjurmë municionesh duke lenë pas shkatërrim dhe gjëra të hedhura përtokë. E moshuara nga ky terror ka humbur ndjenjat dhe pas disa minutave është qetësuar dhe ne gjëndje të shokuar i kanë kërkuar të hedhë firmën që në banesë nuk gjet asnjë armë.

Familjarët janë të shokuar nga kjo ngjarje!", shprehet gazetari Rabaj. 

Ky incident vjen pa mbushur ende 24 orë nga deklarata e djeshme e kryetarit të PD, Sali Berisha, për reprezaljen dhe genocidin që Rilindja kreu në Lazarat 8 vite më parë. 

Të dielën, banorët e Lazaratit i rezervuan një pritje entuziaste liderit të opozitës, Sali Berisha./ Jugulajm