Sondazhet/ Meta: Rama e di mirë se 80% e Shqipërisë po zien nga padurimi për ta shporrur!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur sot besimin e fortë të fitores së partisë që ai drejton në zgjedhjet e pritshme vendore, “një rezultat të jashtëzakonshëm” siç u shpreh, duke hedhur poshtë të gjitha spekulimet që janë bërë së fundmi sikur është një lider jo i pëlqyer sipas sondazheve të ndonjë medieje.

SYRI TV i drejtoi  Metës në konferencën e shtypit, një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me këtë:

“ Z. Meta, disa ditë më parë është publikuar një sondazh i Euronews Albania, ku ju figuroni si lideri më pak i pëlqyer në Shqipëri. Janë 97% e të anketuarëve që kanë një vlerësim negativ për ju. Jeni i shqetësuar nga këto gjetje dhe keni menduar që ndoshta ju dhe liderë të tjerë të opozitës duhet të tërhiqeni për t’i lënë vendin figurave të reja në skenën politike, sepse nuk po arrini të prodhoni shpresë, tek shqiptarët?

Ilir Meta:  Këto janë sondazhe të kombinuara  pikërisht edhe nga ata që financohen nga paratë e inceneratorëve. Kjo është një gjë tepër e qartë. Së dyti, këtë sondazh për mua e ka shpallur për mua që ditën që kam dalë nga Presidenca apo përpara. Së treti, Edi Rama e di shumë mirë se mbi 80% e Shqipërisë është duke zierë nga padurimi për ta shporrur njëherë e mirë atë dhe po kështu e di shumë mirë se nëse ka një forcë politike ku duart e tij priten shumë shpejt , është Partia e Lirisë, sepse te të tjerat i ka futur duart direkt dhe indirekt.

Po kështu, duhet t’ju them kjo parulla që “këta që janë, të ikin se do të vijnë të tjerë si Erion Veliaj”, dihet që përsëri vjen nga inceneratorët. Dhe natyrisht që për një njeri që nuk do të kishte një popullaritet shumë të madh nuk do të orkestroheshin kaq shumë sulme dhe të ndërmerreshin veprimtari mafioze kriminale nga ana e shtetit.

Ndërkohë që unë i besoj sondazhit të përditshëm që bëjnë në raport me qytetarët dhe i besoj shumë dhe sondazhit që do të vijë, që është  ai i zgjedhjeve vendore, ku PL jam i sigurt do të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm dhe do të japë kontributin e saj për një fitore sa më domethënëse të të gjithë opozitës në rast se e gjithë opozita e dëshiron këtë fitore. Kështu që kjo është shumë e qartë. Nuk jam fare i shqetësuar për popullaritetin tim, përkundrazi jam i shqetësuar për gjendjen e rëndë në të cilën është vendi dhe kjo vjen si rezultat i Edi Ramës. Për sa i takon pastaj këtyre absurditeve  dhe kontradiksioneve, këto i kupton edhe një fëmijë se nga çfarë kuzhine gatuhen thjesht për të krijuar demotivime dhe ushqime propagandistile në shërbim të “rilindjes” gjithmonë.