Kush ka frikë nga bashkimi i plotë i opozitës

Sali Berisha lëshoi sinjalin e bashkimit kur ftoi të gjithë demokratët, deputetë ose jo, ish-drejtues ose jo, ish-militantë ose jo, simpatizantë ose jo, ish-anëtarë strukturash të kësaj force politike ose jo, që të bëheshin bashkë e të promovonin votimin ne primare për kandidatët e zgjedhjeve lokale që po afrojnë.

Edhe dalja nga kontrolli e grupit që kundërshtonte rithemelimin ka një farë baze logjike, ndoshta më shumë se personale. Ata e kuptuan se kush kishte forcën në PD, kush kishte elektoratin me vete dhe ndjehen fitimtarë që u ftuan nga Berisha. Kështu, i lënë të kuptohet të paktën vetes së tyre, se nuk iu imponua bashkimi, por Berisha u detyrua të na thërriste për “ndihmë”. 

Deri këtu s’ka asnjë gjë të keqe. Edhe më parë e kam shtruar hapur që opozita duhet të bashkohet realisht. Me gaz e pa gaz, shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë që të shikojnë pak shpresë. Dhe këtë e ofroi bindshëm Foltorja dhe tani duhet ta konfirmojë po bindshëm opozita nën drejtimin e Partisë Demokratike.

E keqja e madhe është se një pjesë e këtyre deputetëve “rebelë” i kanë xhepat akoma plot me bombolat e gazit lotsjellës që hodhën mbi demokratët që i kishin votuar. Por me sa duket edhe këtë Berisha ka menduar të harrojë dhe në këtë mënyrë të shtojë shanset për të ardhmen e Shqipërisë. Jam i sigurt që edhe ata demokratë që u helmuan para selisë së PD do të kenë kurajën ta përpijnë këtë si një ëndërr të keqe. Megjithëse është e zorshme.

Po kush ka frikë realisht nga bashkimi i opozitës? 

Së pari, Edi Rama që po e kupton se nuk ka më pazar përballë, por ka një skalion demokratësh të vendosur të shpëtojnë Shqipërinë.

Kanë frikë sigurimsat që deri dje kanë vegjetuar në PD dhe sot që u shpërfillën nga njerëzit e u kapën pas bishtit të Bashës e shikojnë të sigurt mbytjen. Janë të gatshëm të paraqiten ne zyrat e patronazhistëve të Rilindjes për të qenë prezent. Nëse nuk e kanë bërë më kohë këtë gjë.

Frikë nga bashkimi i opozitës ka krimi dhe bandat qeveritare që si grerëzat kanë nisur të lulëzojnë nëpër kanalet televizive apo mediet me Tema Dite që shfryjnë mllef se do t’u mungojnë paratë e inceneratorëve vjedhur me skema mafioze që vetëm SPAK nuk i kupton.

Bashkimit të opozitës i frikësohet edhe “Open Ballkan”. Se rregullat e lojës me kthimin e opozitës në pushtet do të ndryshojnë. Det mund të ofrojmë për Kosovën, por jo për Beogradin. 

Frikë të madhe kanë të gjithë hajdutët nëpër zyrat e shtetit që kanë abuzuar me detyrën.

Frikë do kenë edhe ata drejtues policie që kanë arrestuar njerëz kot dhe që janë gjobëvënës e kultivues kanabisi. Numërues farash e bimësh hashashi. 

Dhe që të kuptosh fort qartë se kush ka frikë nga bashkimi i plotë i opozitës, shiko rrjetet sociale dhe statuset anonime te patronazhistëve që po u del “Raporti” nga kontrolli. 

Ishin mësuar keq me atë që mbante numërues parash në zyrë.