Mbi 200 ushtarë rusë dorëzohen tek ukrainasit, publikohen pamjet kur disa prej tyre ulin armët

Ushtria ukrainase ka njoftuar se mbi 200 ushtarë rusë deri më tani janë dorëzuar, pasi nuk duan të luftojnë dhe po shpërfillin mobilizimin e pjesshëm të Vladimir Putinit.

E kjo nuk po i pëlqen fare Putinit, i cili madje ka urdhëruar mbylljen e kufijve me shtetet fqinje, nga frika se të gjithë të mobilizuarit mund të ikin dhe të mos i përgjigjen ftesës për luftë në Ukrainë.

Kievi ka publikuar pamjet kur disa ushtarë rusë dorëzohen tek ukrainasit, e shumë tjerë që janë mobilizuar kanë telefonuar linjën e veçantë të ukrainasve “dua të jetojë”, përmes të cilës u garantohet se do të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare nëse refuzojnë të luftojnë.

Ushtarët rusë shihen duke lëshuar armët në tokë dhe prangosen nga ukrainasit, që vazhdimisht ua bëjnë me dije se nuk duhen të brengosen pasi do të mbajnë fjalën që ua kishin dhënë.

Brenda ekipit të kësaj linje të veçantë që e hapën ukrainasit, tregojnë se numri i rezervistëve rusë që po refuzojnë të nisen në luftë, dita-ditës po rritet dhe se këtë e dëshmojnë me pamje nga terreni.

Në anën tjetër, pas shpërthimit të urës në Krime që lidhë gadishullin e Krimesë me pjesën tjetër të Ukrainës dhe Rusinë, ka bërë që ushtria ruse të rrit prezencën e saj nga frika se mund të ndodhë sërish diçka e ngjashme.