Çmimi Nobel për Paqen, aktivistit të burgosur në Bjellorusi, Ales Bialiatski

Kiev, Ukrainë - Aktivistët nga Bjellorusia, Rusia dhe Ukraina fituan Çmimin Nobel për Paqe të premten, një kritikë e forte kjo Presidentin rus Vladimir Putin, që me pushtimin që i ka bërë  Ukrainës ka zemëruar komunitetin ndërkombëtar dhe ka përforcuar sundimin e tij autoritar.

Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha çmimin 2022 aktivistit të burgosur të të drejtave të Bjellorusisë, Ales Bialiatski, grupit rus Memorial dhe organizatës ukrainase Qendra për Liritë Civile.

Berit Reiss-Andersen, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, tha se paneli dëshironte të nderonte "tri kampionë të shquar të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore".

"Përmes përpjekjeve të tyre të vazhdueshme në favor të vlerave njerëzore, çarmatimit dhe parimeve të ligjit, laureatët e këtij viti kanë rigjallëruar dhe nderuar vizionin e Alfred Nobelit për paqen dhe vëllazërinë midis kombeve, një vizion mëse i nevojshëm në botë sot," u tha ajo gazetarëve në Oslo.

E pyetur nëse Komiteti Nobel po i dërgonte qëllimisht një mesazh Putinit, i cili festoi ditëlindjen e tij të 70-të të premten, Reiss-Andersen tha se "ne gjithmonë japim një çmim për diçka dhe dikë dhe jo kundër dikujt".

“Ky çmim nuk i drejtohet Presidentit Putin, as për ditëlindjen e tij apo në ndonjë kuptim tjetër, përveçse si qeveria e tij, si qeveria në Bjellorusi, po përfaqëson një qeveri autoritare që po shtyp aktivistët e të drejtave të njeriut,” tha ajo.

Bialiatski ishte një nga udhëheqësit e lëvizjes demokratike në Bjellorusi në mesin e viteve 1980 dhe ka vazhduar të bëjë fushatë për të drejtat e njeriut dhe liritë civile në vendin autoritar. Ai themeloi organizatën joqeveritare Human Rights Center Viasna.

Ai u arrestua pas protestave në vitin 2020 kundër rizgjedhjes së Presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i Putinit. Ai ka  mbetur në burg pa gjyq.

“Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme personale, z. Bialiatski nuk është dorëzuar asnjë hap në luftën e tij për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Bjellorusi”, tha Reiss-Andersen, duke shtuar se komiteti i Nobelit po u bënte thirrje autoriteteve bjelloruse ta lironin atë.

Udhëheqësja e opozitës në mërgim Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya, duke vizituar Parisin, tha për Associated Press se çmimi do të rriste më tej vëmendjen ndaj të burgosurve politikë bjellorusë dhe tha se ndihej "e nderuar dhe e kënaqur" që Bialiatski ishte në mesin e laureatëve, duke e quajtur atë një "mbrojtës të famshëm të të drejtave të njeriut. në Bjellorusi dhe në botë” dhe një “person i mrekullueshëm”.

"Sigurisht, çmimi do të tërheqë më shumë vëmendje ndaj situatës () humanitare në vendin tonë," tha ajo.

Znj. Tsikhanouskaya, burri i së cilës është gjithashtu i burgosur, tha se Bialiatski "po vuan shumë në qelitë e burgut" në Bjellorusi.

“Por ka mijëra njerëz të tjerë që janë arrestuar për shkak të pikëpamjeve të tyre politike dhe shpresoj se kjo do të ndërgjegjësojë vendin tonë dhe të hidhen hapa praktikë për të liruar ata njerëz që sakrifikuan  lirinë e tyre,” tha ajo.