Kjo tokë është e begatë me njerëz apatikë, dembela, frikacakë

Dyshoj shumë që në Shqipëri ka pasur forca partizane të mirëorganizuara dhe që është bërë Luftë e ashpër Nacional-Çlirimtare. Thjesht ne u çliruam nga lufta e Amerikës dhe e Rusisë kundër nazizmit. Pra qemë rrjedhojë.

Kam disa arsye dhe fakte, por po sjell më kryesoren: “Populli ynë nuk lëviz qimen për lirinë”. Nëse do e kishim shporrur vërtet me pushkë fashizmin, pra do derdhnim gjak për lirinë, atëherë në shpirtin e brezave do të qe gdhendur revolta ndaj çdo shtypje e çdo poshtërimi. Në fakt ndodhi e kundërta. Heshtëm 50 vjet kur njeriut iu hoq çdo e drejtë. Nuk lëshuam një zanore të vetme kur internohej për bindje fqinji ynë me pleq e me fëmijë. Shihnim si hiqeshin zvarrë nëpër qytete ata që mendonin ndryshe dhe nuk lëvizëm as gishtin. U ushqyem me tallon, jetuam në uri e në heshtje....

Reagim i një populli luftëtar është ky?Vazhdojmë sot kur qeverisemi nga fëmijët e nipat e pushtetit të diktatorit. Na rrejnë, ne duartrokasim; u japin drogë fëmijëve, ne qeshim; na rrahin, ne trembemi; rrëmbejnë copa të atdheut, ne nuk ulërijmë, por si popull marrim arratinë nëpër botë.

Ja pse provohet që lufta jonë partizane ka qenë hiperbolë komuniste,një ëndërr e frikacakëve. Se popujt antifashistë gjakun e kanë me leukocite lirie, me shkëndija proteste, me zjarr përvëlues ndaj çdo shtypje e mashtrimi. Ja, në këmbë evropianët kudo në se qeveria i gënjen, u rrit taksa a çmime. E gjithë Franca, Italia, Holanda etj bëhen trup për të drejtat e njeriut. Shqiptari tundet, shkundet në kafene. Fle dhe pandeh se ka pasur trima e partizanë kjo tokë. Kjo tokë është e begatë me njerëz apatikë, dembela, frikacakë. Nanuriset në gënjeshtra e në kotësi...

Lufta është bërë, por nga Kinostudioja komuniste. Me skenar nga historianët e leshit. Na i dhanë si hashash cilësor. Akoma s’po na del gjumi. Gërhasim dhe gërhasim. Flemë, flemë dhe flemë. E kur zgjohemi sytë i mbajmë mbyllur.