'Korrupsioni i pushtetarëve po godet shqiptarët'/ Homeland Justice: Do shtypeni, ju pret fati i irakianëve

Hakerët iranianë kanë kërcënuar sërish me publikimin e të tjera të dhënave. Ditën e sotme ata kanë shpërndarë një mesazh në rrjetin “Telegram”, ku sulmojnë politikën shqiptare.

Po ashtu ata kanë shpërndarë pjesë të një raporti mbi muxhahedinët që janë strehuar në Shqipëri. Në këtë raport ata cilësohen si bashkëpunëtorë të ish-diktatorit irakian, Sadam Hysein.

“Sipas dokumenteve: Siç e dini, dhe siç e thamë, korrupsioni sistematik i pushtetarëve po e bën më të ngatërruar popullin shqiptar. Ashtu si ish-diktatori irakian Saddam Hussein përdori MEK për të vrarë dhe shtypur njerëzit e tij si ushtrinë e tij private, një fat i tillë me siguri do të përsëritet në Shqipëri. Qëndroni vigjilentë për zbulime të mëtejshme…”, shkruhet në mesazh.

Prej disa muajsh Shqipëria është përballur me sulme kibernetike nga Irani. Fillimisht ra e-Albania, ndërsa më pas u sulmuan sistemi TIMS dhe databazat e tjera të policisë. Të hënën ata nxorën një listë me persona që dyshohet se janë hetuar nga policia, por si duket paralajmërojnë të tjera të dhëna.

Frika më e madhe është publikimi i të dhënave nga sistemi MEMEX. Bëhet fjalë për një sistemim ku policia ka të gjitha të dhënat për të dënuarit, bashkë me informatorët. Ekspertë kanë paralajmëruar se publikimi tyre do të shkaktonte tërmet në vend.