Liverpooli e bleu për 100 milionë euro: Sinqerisht, nuk kuptoj asgjë që më thotë Klopp

Sulmuesi i Liverpool-it, Darwin Nunez, edhe pse është paguar 100 milionë euro, nuk e kupton anglishten dhe thotë se nuk merr vesh asgjë nga çfarë thotë menaxheri i klubit Jurgen Klopp në përgatitjet për ndeshjen.

Nunez u transferua në Liverpool nga Benfica për shumën e 75 milionë eurove plus 25 milionë bonuse, por karriera në Anfield nuk ka nisur mirë për uruguaianin dhe tifozët e këtij klubi ende presin ndeshje të mira prej tij.

Arsyeja për këtë sigurisht qëndron në faktin se Nunez ende nuk e ka mësuar gjuhën angleze dhe në këtë drejtim nuk e kupton se çfarë thotë menaxheri Klopp në përgatitjen e ndeshjes.

“Ashtu është... Sinqerisht, nuk kuptoj asgjë që thotë Klopp në përgatitjen e ndeshjes dhe gjatë prezantimit të tij, por sigurisht që u kërkoj shokëve të mi të përcjellin atë që ai më tha. Megjithatë, mendoj se Klopp është shumë i qartë për stilin e tij të lojës, ai kërkon nga ne futbollistët të bëjmë gjëra të thjeshta dhe të mos kemi frikë të luajmë. Ai na kërkon të gjithëve që të kemi besim", shpjegoi Nunez në një intervistë për TNT Sports dhe vazhdoi:

"Ndonjëherë ndihem i pavendosur, më saktë se nuk kam besim maksimal. Megjithatë me kalimin e kohës gjithçka bëhet më mirë. Trajneri më jep gjithmonë besim dhe në fund të ditës e di që golat do të vijnë.

Sezonin e kaluar Nunez shënoi 34 gola në të gjitha kompeticionet dhe ky ishte rekomandimi më i mirë për të që të transferohej në Liverpool, por në fillim të këtij sezoni në tetë ndeshje ai ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim dhe duke marrë parasysh çmimin që u pagua, prapë ai nuk përmbushi as një fraksion të pritshmërive të publikut botëror dhe veçanërisht të tifozëve të Liverpool.