Ministrja Kushi krahason pedagogët me zjarrfikësit: Hidhen në zjarr e ia rritëm 7%...

Ndërsa pedagogët po protestojnë për rritjen e pagave deri në 50% qeveria doli sot me vendim ku deklarohet se do të mbështesë këtë rritje me 7% nga  buxheti i shtetit. Nga ana tjetër Universitetet, bazuar në autonominë që kanë, nëse kanë të ardhura mund të rrisin pagën e pedagogëve deri në 15%.

Evis Kushi: “Paga e pedagogëve do të rritet deri në 15% ku 7 % do mbulohet nga buxheti I shtetit ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave të tyre. Kufiri minimal 7 % dhe maksimal 15 %. Janë universitetet me autonominë që gëzojnë që mund të miratojnë rritje përtej niveli minimal dhe mund ta mbulojnë të ardhurat e tyre. Kjo nxit rritjen e performancës. Me të rritur mundësitë rritet dhe paga e pedagogëve”

Kushi sqaroi se pedagogët nuk kanë vetëm pagën mujore por dhe mbështetje të tjera financiare.

Evis Kushi: “Pedagogët duhet të kuptojnë që të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë por kanë dhe shumë mundësi të tjera. Ndryshe nga mësuesit e zjarrfikësit që kanë pagën mujore, pedagogët kanë mundësi të tjera jo vetëm nga buxheti I shtetit por dhe programet e BE-së”

Para gazetarëve ministrja e Arsimit la të kuptojë se rritja e pagës është e mjaftueshme dhe solli shembull zjarrfikësit.

Evis Kushi: "Rritja e pagave padyshim që do të vazhdojë në vitet e ardhshme. Ftoj kolegët pedagogë të jenë më realistë për situatën në të cilën ndodhemi. Do të sjell një shembull Është rritur me 7% paga e zjarrfikësve. Zjarrfikësit që kanë një pagë të ulët, imagjinoni sakrifica që bëjnë, hidhen në zjarr dhe në kushtet ku ndodhemi rritja është e tillë. Kërkoj mirëkuptim dhe të rrisin përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur performancën dhe të aplikojmë sa më shumë për të thithur fonde nga BE".