Mbyllet protesta/ Pedagogët i lënë Ramës afat 17 tetorin: Ndryshe bojkot

Për rreth 1 orë u mbajt sot protesta e pedagogëve të universiteteve, përballë Universitetit Politeknik në kryeqytetet. Ata pohuan se do të mblidhen në një tjetër protestë më 17 tetor, date kur është caktuar të nisë dhe viti i ri akademik.

Pedagogët refuzuan ofertën e Ramës për rritje page prej 7 përqind.

“Duke pritur kryeministrin të realizojë kërkesën e ofertës tonë, me krizën që supozon kryeministri, ne i kemi ulur kërkesat tona. Duke ju falënderuar, nëse nuk kemi një përgjigje dinjitoze, në datën 17, do të jemi serish në proteste. Të jemi të qartë, Sindikata e Pedagogëve i ka përkrahur protestat edhe të studentëve. Mendojmë që ato ishin të drejta”, tha kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi.

“Kryeministri të heqë dorë nga disa investime strategjike e të përqendrohet në investimin ne paga se këto lekë prapë i kthehen atij me taksat e tatimet. Ne do qëndrojmë do vijojmë me ndjekjen e kërkesave tona. Besoj do na mirëkuptojnë studentët, nëse s’kemi përgjigje do e quajmë grevë si të doni ose bojktot të fillimit të vitit të ri akademik duke kërkuar mirëkuptimin e prindërve të studentëve tanë”.

Pedagogët kanë theksuar se nëse nuk do të ketë një reagim, atëherë do të bojkotojnë procesin mësimor. Kësaj thirrje i janë bashkuar edhe pedagogë të universiteteve të rretheve, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe ftesës së Sindikatës së Pedagogëve.

Kërkesat e pedagogëve

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës.

-Rritja e financimit për kërkimin shkencor.

-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’.

-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë.

-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare.

-Rivlerësimi i orës mësimore pas ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.

-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare.

-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.