Rama bën anti-miting në UB/ Pedagogu: Kemi kërkesa minimaliste

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi në fjalën e tij gjatë protestës së sotme të pedagogëve, tha se ministrja dhe kryeministri Edi Rama po zhvillojnë një antimiting tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe ministrja Evis Kushi po mbajnë një takim në universitetin Bujqësor të Tiranës, një prej pedagogëve të këtij universiteti ka vendosur të marrë pjesë në protestën e sindikatës të punonjësve akademikë.

Në fjalën e tij, profesori tha se Universiteti Bujqësor i Tiranës ishte në rrezik të madh pasi pedagogët po mendonin të largoheshin në Perëndim. Ndërsa shtoi se diplomat e këtij universiteti nuk njiheshin më në vendet perëndimore pasi niveli shkencor ishte në nivelin zero.

"Sot UBT është këtu sepse profesorët e atij universiteti morën taksi dhe erdhën për t’u bashkuar sepse nuk është protestë politike, por ekonomike. Duan që të shkojnë para studentëve me dinjitet. Të marrin rrogat që duhet. Ai universitet që ka me qindra doktorë që kanë studiuar jashtë, është në rrezikun më të madh tani pse ata që janë aktualisht duke dhënë leksione, duan të rikthehen sërish në Perëndim sepse nuk po e gjejnë veten. Ai universitet që ka qenë njohur jashtë në perëndim, tashmë nuk njihet më sepse kërkimi shkencor është në nivelin zero, nuk ka pasur fonde nga qeveria. UBT ka firmosur peticionin dhe i është bashkuar protestës. Unë u shpreh se kauza jonë do fitojë sepse kërkesat tona janë minimaliste," tha ai.