Pedagogët: Ministrja u tall me ne, më datë 17 nuk do shkojmë në auditore

Ashtu siç kishin paralajmëruar, pedagogët kanë dalë sot në protestë masive.

I pari që mori fjalën ishte pedagogu Aleksandër Petre i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Ai zbuloi mes të tjerash një bisedë që ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka bërë me kolegë të tij, ku si fillim kishte pranuar kërkesat e pedagogëve, në fund të bisedës kishte thënë se nuk ka lekë.

“Shkencat luajnë me numrat. Numrat i bëjmë shifra dhe shifrat flasin. Ministrja shkoi sot në Universitetin Bujqësor. Ajo tha se 'kërkesa tuaja janë minimaliste'. Na tha ‘unë jam si ju, se jam pedagoge, jam si ju dhe punoj për ju. Do të realizojmë atë që keni thënë’. Por në fund tha: ‘nuk ka lekë!’. Ne i thamë faleminderit. I thamë se radhën tjetër do takohemi përballë, me kamerat dhe në prani të Ramës. S’dua të besoj as gojët e liga. Ngrita kokën se mos shikoja ndonjë nga satelitët".

"50 përqind rritje rroge kemi kërkuar. Zoti kryeministër ndoshta nuk di të lozë me numrat si në të shkencave, por mund ta bëjë 49 plus 1, është i mirëpritur. Ne 20 ditë pritëm, por i themi kryeministrit se në datë 17 ne nuk do të hymë në auditore për të filluar vitin e ri shkollor. Ndoshta e vutë re kur vinit se podiumin e ulëm këtu poshtë, sepse këtu jemi të gjithë njësoj”, tha ai.