Shqiptari shan dhe dhunon gruan për origjinën nga veriu. Përfundon në burg

“Duhet të ikësh nga shtëpia, nuk të duroj dot, s’do shpëtosh gjallë, do ta përplas kokën pas murit”. Shqiptari 38 vjeçar, i cili jetonte së bashku me gruan e tij në qytetin e Belluno në Itali, ia kishte kthyer jetën asaj në një makth të vazhdueshëm.

Pas muajve të tërë dhune, të kryera shpesh nën ndikimin e alkoolit, si dhe në prezencën e vajzave të tyre të vogla, 33-vjeçarja, e cila po ashtu është shqiptare gjeti guximin për t’u rebeluar dhe denoncoi dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Pas denoncimit shqiptarit i është dashur të përgjigjet para ligjit për dhunën në familje. Për këtë çështje është ekzaminuar periudha nga janari 2020 deri në Janar 2021. 38-vjeçari ka humbur kontrollin pasi ka pirë dhe ka fyer gruan e tij për origjinën e saj nga veriu i Shqipërisë.

Në fillim gruaja është munduar ta largojë burrin nga pirja e alkoolit, por ai e ka kërcënuar, e ka kapur nga kyçet dhe e ka tërhequr, ndaj në 9 Tetor 2020, në orën 9 të mëngjesit, gruaja e frikësuar nga reagimet  e bashkëshortit të saj ka kërkuar ndihmën e policisë.

Ardhja e agjentëve të policisë i ka qetësuar ujërat, por vetëm për disa orë më pas “ferri u rikthye”. Këtë herë burri ka hedhur një shishe në drejtim të gruas dhe më pas e goditi atë në ballë duke i bërtitur: “Largohu, zhduku, do të bëj copash!” Kështu në po të njëjtën ditë, në orën 19:40 pasdite, policia mori një tjetër telefonatë dhe shkoi të ndërhynte për ta qetësuar burrin.

Sipas informacioneve atë ditë gruaja e tmerruar u transferua në një strehë, por makthi nuk mbaroi.  Shqiptari vazhdoi ta përndiqte duke e telefonuar e duke i dërguar mesazhe kërcënuese. “E shkreta ti, po nuk u ktheve!”, mesazh i datës 22 Tetor. “Nuk ke për të jetuar më!”, mesazh i dërguar më 23 Tetor. ”Edhe nëse shkoj në burg të lëndoj, burgu është më mirë se të rri këtu vetëm!”, i dërguar në 11 Nëntor.

Për t’i bërë kërcënimet e tij më të besueshme bënte sikur e dinte vendodhjen e saj dhe i thoshte se do shkonte ta merrte. Në 26 Tetor ai e mori me video call, në këtë moment gruaja ka thënë se do të vrasë veten, ndërsa ai i ka thënë se nëse ndonjë mashkull tjetër do shfaqet në jetën e saj, ajo do vuajë pasojat.

Gjatë Krishtlindjeve u duk se ‘stuhia’ u zhduk, por ishte vetëm një ‘armëpushim’. Në janar të vitit 2021, 38-vjeçari u zhvendos pranë strehës ku jetonte gruaja me vajzat e vogla. Ai kishte shkuar dhe i kishte rënë ziles në shtëpinë e tyre duke kërcënuar se nëse nuk do e hapnin derën ai do thyente dritaren. Gruaja e dinte se nëse do dilte ai do ta lëndonte ndaj ka thirrur përsëri policinë për të mbrojtur veten dhe të bijat.

Ditën e djeshme 4 Tetor 2022, para gjykatës doli edhe eksperti i cili konfirmoi se abuzimi me alkoolin nuk i ul aftësinë e të kuptuarit 38-vjeçarit. Gjykatësja Angela Feletto i dha burrit dënimin me 2 vite burg e po ashtu atij i duhet të paguajë 7 mijë euro kompensim gruas së tij./tvklan.al