Më 5 tetor 1871 lindi kryeministri Sulejman Delvina

Më 5 tetor të vitit 1871, lindi në Delvinë, Sulejman Delvina.

Qe patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane deri në vitin 1911, kur kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspasioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.

U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-n. Pas Kongresit të Lushnjes u emërua kryeministër i qeverisë.

Në këtë post u përball me probleme të shumta, në mënyrë të veçantë me çështjet e kufijve dhe me çështjen e Vlorës, në lidhje me të cilën firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e qytetit dhe të rrethinave të tij nga italianët.

Mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në qeverinë Noli. Pas dështimit të Lëvizjes largohet nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë.