Eksperti: Putini rrëzohet, Rusia nis shpërbërjen, NATO përballet me Kinën

Ditët e fundit, gjithmonë e më shumë ekspertë duket se po bien dakord në një pikë: Rusia po e humbet luftën në Ukrainë dhe Vladimir Putin e di diçka të tillë. Ushtria ukrainase po avancon dhe Kievi ka një rrugë të qartë drejt fitores.

Pyetja që lind është kjo: Çfarë ndodh nëse Rusia e humbet luftën?

Sipas Alp Sevimlisoy, një analist pranë Këshillit të Atlantikut, ka disa skenarë se si do zhvillohen ngjarjet. Në një intervistë për Daily Mail, ai thotë se Putini do të rrëzohet, Rusia do të nisë shpërbërjen dhe NATO do të vendoset përballë Kinës.

“Perëndimi duhet të fillojë përgatitjet për ktë eventualitet, përndryshe do t’i hapë derën Pekinit për t’u futur në rajone si Siberia, Azia Qendrore, Afrika dhe Amerika e Jugut, ku tashmë ka futur gishtat e këmbës, por ku do të shohë më shumë mundësi në rast se fuqia ruse do zbehet".

“Ne duhet të lëvizim në vakuum, të kërkojmë të ushtrojmë ndikim dhe më pas duhet të përballemi me Republikën Popullore të Kinës. Kina është një superfuqi e lidhur globalisht dhe ne duhet t’i luftojmë në mënyrë efektive,” thotë ai.

“Ukrainasit kanë vrullin përpara- ata po fitojnë. Por ky konflikt nuk do përfundojë me tërheqjen e të dyja palëve që do të thonë: kaq ishte. Ai do ketë ndikim në të gjithë Rusinë dhe rajonin”.

“Nuk shoh të ardhme për Putinin nëse humbet luftën. Si mund të kthehesh te njerëzit e tu pas kësaj? Si do dalësh në skenën ndërkombëtare pasi e ke përdorur ushqimin dhe energjinë si armë?”

“Dështimi i Rusisë në Ukrainë është dështim i shtetit. Do ketë grupe që thonë se nuk duhet të qeverisemi kështu. Ushtria do të thotë se fushata ka qenë një dështim.

Unë mendoj se kolapsi do të vijë nga lufta e brendshme në shërbimet e inteligjencës dhe ushtrisë. Forcat brenda Rusisë do e përdorin këtë si mundësi për të thënë: “Ne mund të qeverisemi më mirë dhe kemi mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare për të nxitur pavarësinë”. Dhe ne patjetër duhet ta mbështesim këtë”.