Kush po mashtron, Kryeprokurori i Tiranës apo Kryeministri?

Kryeprokurori i Tiranës Arens Çela për BIRN do të deklaronte se të gjitha çështjet e denoncuara publikisht nga anëtarët e qeverisë për ndërtimet e kateve pa leje, janë nën hetim nga prokuroria. Të gjitha.

Përfshirë rastin për të cilin Kryeministri Rama akuzoi drejtësinë si të korruptuar për mos hetim, kullën “Eye of Tirana”: “Dhe ky nuk është i vetmi rast, por rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”.

Prokurori Arens Çela i tha BIRN-it se rasti i kullës “Eye of Tirana’ dhe kallëzimi i IKMT-së ishin duke u hetuar.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, duke denoncuar një godinë 13-katëshe, i revoltuar deklaroi se jo vetëm katet shtesë qenë pa leje, por i gjithë ndërtimi kish dalë jashtë projektit në mënyrë skandaloze dhe sipas tij kjo ndodhte për shkak të “drejtësisë së vjetër” që nuk i hetonte dhe ndiqte penalisht shkelësit e ligjit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ky ndërtim nuk është denoncuar nga institucionet në varësi të ministrit, si IKMT-ja dhe Policia e Shtetit, dhe as nga ato në varësi të bashkisë së Tiranës, që duhej të monitoronin zbatimin e lejes së ndërtimit të lëshuar prej tyre.

Pyetje për financuesit dhe mbështetësit e fortë të reformës në drejtësi: Kush po mashtron, Kryeprokurori i Tiranës, dalë nga reforma në drejtësi, reformë e mbështetur fuqishëm nga SHBA dhe BE sidomos për luftën ndaj korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar apo Kryeministri, që po ofron legalizim e amnisti penale për ndërtuesit që sipas Kodit Penal duhet të dënohen deri në 8 vite burg për ndërtimet e paligjshme me qëllim fitimi?

Për Zv. Kryeministren Balluku, këto shtesa janë “mister”, për Ministrin e Brendshëm Çuçi “guxim” i madh, për Kryeministrin Rama “burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”. Vetë Drejtësia thotë po hetojmë, por nuk përfshihemi në debate politike.

E vetmja gjë politike, misterioze, e guximshme dhe me presh në duar njëkohshëm është fakti se pas ndërtuesve të amnistuar janë njerëz të lidhur me pushtetin 9-vjeçar.

Dhe për të përforcuar pyetjen e parë për financuesit dhe mbështetësit e fortë të reformës 6-vjeçare në Drejtësi dhe kundërshtarë të paepur të Amnistisë Fiskale propozuar nga Kryeministri 9-vjeçar, një shtojcë kureshtare: A e konsiderojnë amnisti me po të njëjtat pasoja, këtë të shtesave pa leje, si atë Fiskale?

Pyetje janë, dro dhe u përgjigjen. Sidomos para zgjedhjeve lokale.