Berisha: Sistemi TIMS u sulmua nga hakerat qeveritarë, asnjë masë nga 15 korriku për mbrojtjen e sistemeve

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se publikimi i listës së personave të dyshuar për krime në Shqipëri është një moment shumë i rrezikshëm për vendin.

Berisha tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e të dhënave që prej 15 korrikut.

Sipas Berishës, edhe sistemi TIMS u sulmua nga hakerat qeveritarë për të zhdukur lidhjet e qeveritarëve me kriminelët.

“Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve. Të gjitha të tjerat, janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë.

Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze, është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën.

Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe, këtë veprimtari kriminale, shtetërore,” tha Berisha.