Milani në emergjencë, Pioli ka në dispozicion vetëm 15 futbollistë për transfertën me Chelsean

Milani në alarm para turit të forcës, teksa deri më 11 tetor do të përballet dy herë me Chelsean dhe një herë me Juventusin.

Më shqetësuese situata është në prag të përballjes me londinezët këtë të mërkurë në “Stamford Bridge”.

Në këtë sfidë Pioli do të ketë vetëm 15 futbollistë në dispozicion, me numrin që shkon në 17 bashkë me portierët, pasi nuk do të udhëtojnë me skuadrën emra si Maignan, Calabria, Kjaer e Saelemakers, por edhe të dëmtuarit e mëparshëm si Theo Hernandez, Florenzi e Ibrahimovic, duke krijuar një situatë të komplikuar për Piolin.

Kjo transfertë është mjaft e rëndësishme për ecurinë e kuqezinjve në Champions, por për shkak të mungesave, Pioli do ta ketë të vështirë të aplikojë edhe 5 zëvendësimet e lejuara, teksa ngarkesa mund t’i sjellë të tjera telashe.