Mbyllet kufiri i Finlandës për rusët me viza turistike

Kufiri i Finlandës me Rusinë u mbyll për rusët me viza turistike të premten, duke kufizuar një nga rrugët e fundit lehtësisht të arritshme për në Evropë për rusët që përpiqen të ikin nga një mobilizim ushtarak që synon të forcojë luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Radhë të gjata janë raportuar deri në mesnatë në pikat kufitare. Ndër të fundit që hynë në Finlandë ishin dy çiklistë që mbërritën pak para orës 23:00, raportoi televizioni finlandez YLE nga Vaalimaa, një nga pikat kryesore kufitare midis vendit nordik dhe Rusisë. Finlanda ka kufirin më të gjatë me Rusinë nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Me përjashtim të një kalimi kufitar midis Rusisë dhe Norvegjisë, Finlanda kishte ofruar rrugën e fundit tokësore lehtësisht të arritshme për në Evropë për rusët që kishin viza evropiane Shengen.

Qeveria finlandeze e justifikoi vendimin e saj duke thënë se ardhja e vazhdueshme e turistëve rusë në Finlandë po rrezikonte marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit dhe përmendi shqetësimet e sigurisë në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, referendumet "ilegale" të organizuara nga Rusia në pjesë të Ukrainës dhe sabotimet e fundit të tubacioneve tëe gazit Nord Stream nga Rusia, nën detin Baltik.

Por shtetasit rusë mund të vazhdojnë të hyjnë në Finlandë për arsye familjare, studime ose punë.

Gjithashtu, disidentët politikë rusë mund të kërkojnë të hyjnë për qëllime humanitare.

Që nga 1 shtatori, Finlanda e pakësoi numrin e vizave – përfshirë ato për qëllime turistike – që lëshonte për qytetarët ruse, në një të dhjetën e numrit të zakonshëm, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Në fillim të kësaj jave, rojet kufitare finlandeze thanë se duhet një gardh përgjatë kufirit me Rusinë, duke e konsideruar atë "të nevojshëm për shkak të ndryshimit të mjedisit të sigurisë" në vendin nordik. Një gardh i tillë kërkon miratimin e Parlamentit Finlandez.

Gardhi nuk do të duhej të shtrihej në të gjithë gjatësinë prej 1,340 kilometrash të kufirit, por duhet të jetë në "zona më të rrezikshme, siç janë pikat kufitare dhe zonat e tyre afër", thanë rojet kufitare.

Edhe Norvegjia tha të premten se po shqyrtonte vendosjen e një ndalimi të hyrjes për rusët me viza Shengen. Vendi skandinav ka një kufi në Arktik me Rusinë i cili është 198 kilometra  i gjatë. Pika e vetme e kalimit është në Storskog.

"Ne do të mbyllim kufirin shpejt nëse është e nevojshme," tha Ministrja e Drejtësisë Emilie Enger Mehl.